Nga referendumi i 23 qershorit të 2016-ës deri në shtyrjen për herë të dytë të daljes, më poshtë renditen fazat kryesore të Brexit-it: Pranimi i Brexit-it- Më 23 qershor 2016, rreth 17,4 milionë britanikë (51,9% e votuesve) votuan pro daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Largimi i Cameron- Më 24 qershor, kryeministri konservator David Cameron, i cili kishte kërkuar bërjen e referendumit, por që ishte kundër daljes nga BE, dha dorëheqjen.

Euroskeptikët e ndryshuar- Më 13 korrik, Teresa May, euroskeptikja që votoi kundër Brexit-it, bëhet kryeministre. Drejt një Brexit-i të vështirë- Më 17 janar të 2017-ës, në fjalimin e mbajtur në Lancaster, Theresa May konfirmoi se Britania e Madhe nuk mund të vazhdonte të ishte pjesë e një tregu të bashkuar, që nuk kishte të njëjtin prioritet si Londra: kontrollin e migracionit europian.

Neni 50- Më 29 mars 2017, Theresa May aktivizon nenin 50 të Marrëveshjes së Lisbonës. Procesi i daljes fillon zyrtarisht dhe duhet të mbyllej më 29 mars të vitit 2019. Zgjedhje të parakohshme- Duke dashur të krijojë autoritetin e saj para hyrjes në negociata me BE-në, Theresa May thërret zgjedhjet e parakohshme. Më 8 qershor të 2017-ës , ajo humbet shumicën absolute dhe i duhet të bëjë koalicion me partinë irlandezo-veriore DUP.

Plani- Më 6 korrik 2018, May publikoi planin e saj për marrëdhëniet tregtare pas Brexit-it : për vazhdimin e këmbimeve industriale dhe bujqësore në një zonë të lirë këmbimi me 27 shtetet si dhe modelin e ri doganor. Marrëveshja- Më 13 nëntor 2018, Downing Street deklaroi se negociatorët britanikë dhe europianë kishin përmbyllur një projektmarrëveshje, që do të miratohej më 25 nëntor, gjatë një samiti europian.

Bëhej fjalë për një marrëveshje largimi, që rregullonte çështjen e faturës që Londra duhet t’i paguajë BE, të drejtat e qytetarëve europianë si edhe dispozitat shumë kontroverse si «rrjeti i sigurisë», apo «backstop», që parashikon si zgjidhje të fundit mbajtjen e Britanisë së Madhe në një bashkim doganor për të shmangur krijimin e një kufiri fizik në Irlandë. Ajo përmbante gjithashtu një deklaratë politike që përshkruan marrëdhëniet pas Brexit-it.

Mocion mosbesimi-  Më 12 dhjetor, Theresa May merr një votë mosbesimi të organizuar nga deputetët e Partisë së saj Konservatore të cilët kundërshtojnë marrëveshjen e daljes. Pengesa e parë-Më 15 janar 2019, deputetët refuzojnë në masë marrëveshjen për Brexit-in me 432 vota kundër dhe 202 pro. Të nesërmen qeveria mezi i mbijeton mocionit të mosbesimit, paraqitur nga opozita. Fillohen bisedime të reja me Brukselin që refuzon të rihapë marrëveshjen.

Pengesa e dytë- Më 12 mars, deputetët refuzojnë sërish në masë marrëveshjen me Brexit-in, me 391 vota kundër dhe 242 pro. Të nesërmen ata votojnë për daljen nga BE pa marrëveshje. Shtyrja e Brexit-it- Më 14 mars, Parlamenti voton pro shtyrjes së datës së Brexit-it, që miratohet nga 27 vendet anëtare të BE. Theresa May sakrifikohet- Më 27 mars, Theresa May premton të japë dorëheqjen nëse marrëveshja e saj për Brexit-in pranohet. Po atë ditë, deputetët votojnë kundër tetë skenarëve alternativ që vetë i kishin propozuar, mes të cilëve edhe daljes pa marrëveshje apo bashkimit doganor me BE.

Pengesa e tretë- Më 29 mars, deputetët britanikë refuzojnë për herë të tretë me 344 vota kundër dhe 286 pro, marrëveshjes së daljes. Zgjatja e dorës- Theresa May i propozon më 2 prill kreut të opozitës , Jeremy Corbyn, të punojnë së bashku për një zgjidhje mbi Brexit-in.

Shtyrja e dytë- Natën e 10 dhe 11 prillit, në një samit të jashtëzakonshëm të BE, drejtuesit europianë bien dakord me Britaninë e Madhe për një shtyrje të Brexit-it deri më 31 tetor. Theresa May e pranoi edhe pse më herët kishte kërkuar një shtyrje për deri më 30 qershor.