Në kasafortat sekrete brenda bankës së Italisë, prodhohet para e re ndërkohë që makineritë e printimit shtojnë bankënotat e reja 100 dhe 200 euro në qarkullim. Reuters fitoi akses të rrallë brenda Departamentin e Printimit të Kartëmonedhave në Romë, për të filmuar karakteristikat e reja të sigurisë të kartëmonedhave të serisë Europa, që zyrtarët thonë se ofrojnë mbrojtje ndaj falsifikimit. Drejtori i Bankënotave i Bankës Qendrore Europiane, Ton Roos, tha se kartëmonedhat e printuara këtë javë kanë numra të mëdhenj në një dizajn më të ndezur dhe hije që bëjnë kontrast, për t’u identifikuar më lehtë.

“Kur sheh këndin e majtë poshtë, është numri në ngjyrë smeraldi dhe kur e kthejmë bankënotën, duket një vijë drite që shkon lartë dhe poshtë dhe brenda numrit, shihen logo të vogla të euros. Po përpiqemi të zhvillojmë karakteristika të sofistikuara të sigurisë, për shkak se duam t’i qëndrojmë larg falsifikueseve,” tha ai.

Ndërsa projektonte serinë Europa, Banka Qendrore Europiane, u përpoq të zhvillonte karakteristika që ndihmojnë njerëzit që nuk shohin mirë. Roos tha se banka po printon rreth 2.3 miliardë kartëmonedha të reja 100 euro, por jo të gjitha do të prezantohem menjëherë në rrjetin e bankave. Disa prej këtyre do të ruhen në kasafortat e Bankës Qendrore dhe do t’i dërgohen bankave tregtare, kur t’i nevojiten. Prerja 100 euro është nga më të famshmet dhe përbën thuajse 13% të të gjithë kartëmonedhave në qarkullim. Megjithatë, më popullorja është bankënota 50 euro, në 23% të të gjithë kartëmonedhave në qarkullim.