Brazili ka fituar “Copa America” për herë të 9-të në histori pasi mposhti 3-1 Perunë në finalen e Maracana. Pasi Kupa u rikthye në Brazil pas 12 vitesh në vend ka shpërthyer festa, por protagonistët e suksesit kanë dashur t’i përgjigjen edhe Leo Messit. Kapiteni i Argjentinës me reagime të ashpra vuri në dyshim rregullsinë e turneut.

I pari që i është përgjigjur ka qenë trajneri i Seleçaos Tite i cili ka thënë :” Messi nuk di të humbasë. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, por duhet të ketë më shumë respekt dhe duhet ta pranojë kur humbet. Jam dakord me Leon që kartoni i kuq që ai morri ndaj Kilit nuk ishte, por ndaj nesh çdo gjë ishte korrekte” e mbyll Tite.

Më i ashpër ka qenë mbrojtësi Thiago Silva i cili nuk ka harruar humbjen 6-1 që ka pësuar PSG-ja e tij ndaj Barcelonës dhe thotë :” Është e vështirë të komentosh pasi kur dikush humbet përpiqet të heqë përgjegjësinë. Kur Barcelona fitoi 6-1 ndaj PSG-së me një arbitrim skandaloz asnjëri nuk akuzoi. Duhet respektuar historia. Ne kemi 5 yje dhe asnjë nuk e kemi vjedhur” nënvizoi Thiago Silva.

Në të njëjtën linjë është shoku i skuadrës Marquinhos:” Është stresuese të dëgjosh të tilla gjëra nga një lojtar si Messi që adhurohet nga të gjithë. Arbitrat shpesh herë kanë marrë vendime në favor të Barcelonës apo edhe Argjentinës dhe askush nuk ka folur për korrupsion. Messi ka humbur dhe duhet ta pranojë” e mbyll kampioni i freskët i Amerikës së Jugut. Dani Alves është përzgjedhur si lojtari më i mirë i “Copa America”.