Ministria e Financave bëri të ditur se borxhi publik zbriti në nivelin 63,6% në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në fund të muajit mars 2019.

Shifrat tregojnë një rënie të konsoliduar që është përvijuar edhe gjatë periudhës paraardhëse, çka tregon se ky tregues priret drejt uljes edhe më tej gjatë vitit.

Sipas ekonomistëve, ndikim në uljen e borxhit publik ka dhënë ulja progresive e borxhit të brendshëm përgjatë tre muajve të parë të vitit. Ndërkohë që ulja e kërkesës për huamarrje në tregun e brendshëm është një nga arsyet që i ka ulur normat e interesit për bonot dhe obligacionet pranë niveleve më të ulëta historike.

Kjo ka bërë që edhe interesi mesatar i ponderuar i letrave të borxhit të bjerë në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sipas Ministrisë së Financave, yield-i mesatar i titujve të ka rënë në 4,02%, nga 4,18% që ishte në fund të vitit të kaluar.

Paralelisht, qeveria ka rritur maturitetin mesatar në 838 ditë, që është kohëzgjatja më e madhe e regjistruar deri më sot. Deri tani, Ministria e Financave ka shfrytëzuar më së miri konjukturën e favorshme të tregut për të ulur koston e huamarrjes, duke zgjatur maturitetin mesatar. Kjo ndihmon në uljen e rrezikut të rifinancimit të shpeshtë të borxhit, shpjegojnë ekspertët.