Lajmet e këqija për Britaninë e madhe nuk vijnë vetëm nga politika dhe kriza e thellë që ka mbërthyer vendin, por tashmë edhe nga ekonomia.

Ekonomia britanike është kontraktuar kështu ndjeshëm gjatë muajit Prill, si pasojë e sektorit të automjeteve. Ky i fundit ka pësuar rënien më të madhe në histori. Kolapsi i ndjeshëm i sektorit vjen si pasojë e shtyrjes së planeve të prodhueseve, rrjedhojë e paqartësisë së daljes së Britanisë nga unioni. Më herët gjatë vitit, shumë prodhues të mëdhenj makinash në ishull deklaruan mbylljen e përkohshme të fabrikave gjatë Prillit, si pasojë e trazirave tregtare që priteshin me daljen nga unioni.

Me shtyrjen e Brexit, ishte shumë vonë për bizneset që të ndryshonin planet e tyre. Kjo ka bërë që në tërësi, ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar të bjerë me 0.4% gjatë Prillit, pas një rënie me 0.1% gjatë muajit Mars. Rënia gjatë Prillit është më e madhe se pritshmëritë. Sektori i manifakturës ndërkohë është tkurrur me 3.9%, që është edhe rënia më e madhe që prej Qershorit të vitit 2002.

Prodhimi i makinave ra me 24%, rënia më e madhe që prej 1995, kohë kur edhe filloi matja e këtyre të dhënave.