Kur më pak se një orë ndan nga protesta, Partia Demokratike flet me shifra. Bazuar në të dhënat e degëve të PD, flitet për protestën më të madhe masive. Më konkretisht PD thotë se nga Durrësi janë nisur 9500 qytetarë, nga Elbasani 7800, nga Shkodra 9200, Lezha 7000, Kukësi 4100, Dibra 3500, Berati 3400, Fieri 5600, Vlora 5000, Gjirokastra 2000 dhe Korça 4500.

Por loja e shifrave ka dy aspekte. Atë matematikor si dhe aspektin politik. Sa i përket llogarive, mjafton të marrim si shembull qarkun e Durrësit, nga ku PD thotë se janë nisur 9500 protestues. Nëse marrim parasysh një mjet transporti të tipit autobus me 50 vende, sipas rregullit përpjestimor del se vetëm nga Durrësi kanë ardhur në Tiranë 190 autobusë. Kështu, nga Elbasani kanë ardhur 156 autobusë, nga Shkodra 184 etj.

Aq më keq nëse mjetete nuk janë autobusë, por vetura private ku do të duheshin mijëra të tilla që do të bllokonin çdo rrugë nacionale. Në aspektin politik, ish-deputetët e PD që janë të deleguar në qarqe kanë nisur betejën e tyre në prononcimet LIVE. Një orë para protestës, ata janë rrekur të deklarojnë kush e kush më shumë protestues të siguruar falë punës së secilit në bazë. Interesant mbetet qarku i Beratit. PD deklaron se prej andej janë nisur 3400 protestues, ndërsa në vizitën që Lulzim Basha bëri atje pak ditë më parë, banorët mbështetës numëroheshin me sy të lirë.

Mesa duket, mbështetësit nga Berati preferojnë ta takojnë Bashën në Tiranë…