Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe Agjencia Sllovene e Lajmeve (STA), nënshkruan sot në Berlin një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin e informacionit mes dy vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi dhe Menaxheri i Përgjithshëm i STA-së, Bojan Veselinoviç.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, e para mes dy agjencive dhe me një vend anëtar të BE-së si Sllovenia, u konsiderua shumë i rëndësishëm, sidomos në një kohë kur opinioni publik kërcënohet nga fenomeni i fake news.

Marrëveshja parashikon jo vetëm shkëmbimin e lajmeve mes dy agjencive, por edhe të fotove, që do t’u mundësojnë qytetarëve të dy vendeve të njihen më shumë me zhvillimet politike, ekonomike, turistike, kulturore dhe sportive në Shqipëri dhe Slloveni, e cila është anëtare e Bashkimit Europian që 1 maji i vitit 2004.

ATA dhe STA janë nënshkruese të “Deklaratës së Tiranës” për luftën kundër fake news.

Në harkun kohor të një viti, janë nënshkruar katër marrëveshje bashkëpunimi me vende anëtare të BE-së; me agjencinë greke të lajmeve, ANA, me atë bullgare, BTA, me agjencinë polake të lajmeve, PAP dhe me agjencinë sllovene të lajmeve STA, ndërkohë që priten edhe marrëveshje të tjera.

Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, po zhvillon në Berlin konferencën me temë “Mundësitë e agjencive të lajmeve për luftën kundër dezinformimit”.