Kandidati i PS për Pogradecin Ilir Xhakolli, ka përgënjeshtruar ‘denoncimin’ e ish-kryeministrit Sali Berisha i cili deklaroi se Xhakolli është arrestuar në doganën e Qafë-Thanës për kontrabandë. Kandidati socialist sqaron se nuk është arrestuar, ndërsa këshillon ish-kryeministrin Berisha që të pyesë para se të publikojë diçka, që herë tjetër të mos bëhet sërish gazi i botës.

“Lidhur me një postim i cili po qarkullon orët e fundit.- Sinqerisht me vjen keq për ju Sali Berisha. Një njeri në moshën tuaj dhe me funksionet që ka pasur, të arrijë në këtë derexhe. Por këtej nga anët tona thonë: Kur njeriu kalon në fazën e fundit të çmendurisë, fillon ha prej për dheri (çfarë të gjejë) Një këshillë miqësore kam për ty, para se të publikosh diçka pyet paraprakisht sepse u bëre gazi i botës dhe pogradecarët janë duke u tallur me ty.

Nuk do reagoja kundër shpifjes tuaj të ulët, por e kam detyrë morale të informoj qytetarët e Pogradecit. Gjendja juaj mjerane tregon edhe njëherë se 30 Qershori ndan shapin nga sheqeri, midis një politike të vjetër dhe shpifëse dhe politikës tonë për ti dhënë fund njëherë e përgjithmonë kësaj situate në 30 Qershor!”, shkruan Xhakolli.

Berisha shpërndau para pak orësh një njoftim ku shkruan se Ilir Xhakolli është arrestuar dhe është liruar me ndërhyrjen e Taulant Ballës duke akuzuar edhe policinë se ka mbajtur të fshehtë këtë ngjarje. “Denoncohet fshehja e krimit nga policia! Kapet ne flagrance me kontrabande kandidati per bashkine e Pogradecit.Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital! sb

Doktor,para disa ditesh ne doganen e Qaf Thanes eshte arrestuar kandidati i Partise Socialiste per Pogradecin Ilir Xhakolli! Ai eshte kapur per kontrabande dhe me nderhyrjen e Taulant Balles eshte liruar brenda 24 oreve. Kjo ngjarje eshte mbajtur e fshehte nga Policia e Sander Lleshit”, thuhet në postimin e Berishës.