Muzetë e Qendrës Muzeore Berat, Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik vazhdojnë të jenë destinacionet më të kërkuara nga turistët e vizitorët e huaj.

Gjatë periudhës janar-shtator 2018, 10435 vizitorë vendas dhe të huaj kanë vizituar Qendrën Kombëtare të Muzeumeve, Berat.

Gjatë periudhës janar -shtator ky sit është vizituar nga 48 704 vizitorë të cilët kanë siguruar 7 916 940 lekë të ardhura.

Për periudhën janar -shtator 2018 janë 14 083 vizitorë ose 140.7% më shumë dhe 1945 940 ose 132.6% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2017.
Vizitorët e huaj që kanë vizituar këtë sit të trashëgimisë janë 35 178 dhe 3760 vizitorë vendas.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat është vizituar nga 2914 nxënës dhe studentë pasi brezi i ri së fundmi sitet e trashëgimisë i ka kthyer në atraksione turistike mjaft të pëlqyera.

Këto site ofrojnë dhe të dielat e fundit të çdo muaji dhe ditët e festave hyrje falas për vizitorët dhe në këtë sit janë 6852 vizitorë pa pagesë.

Pak histori mbi muzetë…

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Ky tip banese është ndërtuar nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytetet me rente feudale. Është banesë dykatëshe, me çardak në njërin krah. Kati përdhes (hajati) është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri, të ndërtuara mbi qemerë në harkada guri.

Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Vëmendja kryesore në këtë banesë i kushtohet hapësirës së hajatit dhe çardakut. Ajo është e pajisur me orendi te palëvizshme, si kamare, sergjene, dollap muri, pus, oxhakë etj, të cilat shërbenin për ruajtjen e objekteve shtëpiake.

Banesa është e përbërë nga disa dhoma që shërbenin për të ndenjur, për punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri. Gjithashtu këtu ka edhe shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond te pasur me rreth 1200 objekte.

Muzeu Kombëtar Onufri në Berat,është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas Bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë. Ikonabartësin e katedrales së Beratit e ka gdhendur mjeshtër Naumi nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit, në mesin e shekullit të XIX.