Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin, po punojnë çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe restaurimit të banesave në qytetin e Beratit, ku ditët e fundit shtëpia e Llazar Pyze, “monument kulture” i kategorisë së dytë, në lagjen “Mangalem”, Berat, i është nënshtruar procesit të restaurimit të fasadës.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, ndërhyrja restauruese fillimisht konsistoi në zbërthimin e suvatimit të dëmtuar në fasadën kryesore (fasada me orientim jugorë) të banesës, e cila është e ndërtuar me skelet druri (mur çatërma).

Punonjësit e mirëmbajtjes së DRKK-Berat bënë më pas suvatimin me llaç gëlqereje të përzier me kashtë dhe lesh dhie me dy duar duke respektuar teknikën origjinale, ndërsa tani është në proces lyerja me sherbet gëlqereje.

DRKK Berat do të vijojë me realizimin në vijimësi të punimeve për mirëmbajtjen e objekteve që gëzojnë statusin “monument kulture” në administrimin e kësaj drejtori.

Ansambli muzeal i lagjes Mangalem shtrihet në formë gjysmë harku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës.

Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson dukurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shek. XV-XVI duke formuar në këtë mënyrë zonën e varoshit.

Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, e bëjnë këtë ansambël një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.

Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit.

Në shumicën e literaturës turistike për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të Mangalemit, Berati cilësohet ndryshe edhe si “qyteti i një mbi një dritareve”.