Nga Flogert Muça/

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë mbetur në rrugë të madhe, në të gjitha kuptimet e fjalës. Pasi kanë lënë mandatet (që po zëvendësohen nga kandidatët e tyre që pasojnë listat), janë përbetuar se do të rrëzojnë Edi Ramën me protesta. Edhe pse ‘rrëzimi i Ramës’ shtyhet pas çdo proteste për në protestën e radhës, Basha e Kryemadhi, mbeten të palëkundur në misionin e tyre.

Por, ka një pyetje të thjeshtë se pse Lulzim Basha (Kryemadhi jo e jo) nuk e rrëzon dot Edi Ramën siç ai pretendon dhe përgjigjet nuk kanë lidhje me asgjë tjetër veçse me imazhin politik të kryedemokratit në opinionin e gjerë publik,  por edhe brenda partisë së marrë dhuratë nga Berisha.

Lulzim Basha ka një imazh politik të tillë që zor se do gjejë një specialist komunikimi (ata që Berisha i ka konsideruar si ‘këshilltarë mizerabël’ e kanë të pamundur) që do të mund tia stabilizonjë  apo arnojë dhe ky është problemi i madh i tij, jo Edi Rama.

Lë t’i marrim me radhë pikat që kanë thërrmuar imazhin politik të Bashës, duke e bërë atë të pafuqishëm për të mbjellë shpresë.

Kur Lulzim Basha del e flet për ndikimin e krimit në në zgjedhje, të gjithëve iu del përpara kabllogrami i SHBA-ve pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2008 ku shkruhej se: “..Ministri i Jashtëm Basha, i cili përfaqësoi PD-në në Elbasan, është përfshirë në lirimin e një krimineli të famshëm në Elbasan në këmbim të mbështetjes së familjes së tij…”

Këtë se ka thënë kundërshtari i Lulzim Bashës, por vetë SHBA-të në komunikimin e saj të fshehtë me DASH.

Sa herë ai del e flet për korrupsionin, të gjithë në rrjete sociale, në kafene, në rrugë, në zyrë, qeshin dhe thonë “Flet ky që kur ishte ministër Transportesh vodhi 230 milionë euro në Rrugën e Kombit e që iu shmang drejtësisë së kapur nga Saliu, me raporte mjekësore”.

Sapo Lulzim Basha nis të flasë si patriot, të gjithë  (edhe të vetët në çdo rast) kujtojnë se si ai kur ishte ministër i Jashtëm, bashkë me Sali Berishën i falën Greqisë detin duke e konsideruar atë sukses.

Sapo Lulzim Basha nis të flasë për rendin dhe sigurinë apo më keq akoma për dhunë të shtetit ndaj protestuesve, kujtojnë se si në 21 janar të 2011, kur Basha ishte ministër i Brendshëm, u vranë në bulevard (jo brenda gardhit apo brenda instirucionit siç ai fut sot militantët e tij) katër qytetarë me duar në xhepa. Po po, me duar në xhepa!

Kur Basha iu flet shqiptarëve se ai do të punojë për një Shqipëri më të mirë, të gjithëve iu kujtohet se si kur ai ishte në krye të bashkisë së Tiranës në katër vjet, nuk nguli një gozhdë në mur.

E së fundi, kur Basha flet me demokratët e tij, të cilëve ju ka shkatërruar partinë duke hequr figurat ikonë të PD-së e duke fut familjen e farën e tij që e ka katandisur partinë në një minorancë të padëgjuar më parë, ata thonë ‘Na ka rënë për hise ky, që na turpëroi e na la rrugve kot’.  Ndaj edhe ka njerëz si zonja Hajdari, Murrizi e të tjerë që janë shkëputur publikisht nga Basha.

Janë këto problemet e Lulzim Bashës dhe jo Edi Rama. Lulzim Basha është sprovuar në pushtet dhe për opinionin publik ai ka vjedhur, vrarë, tradhëtuar dhe lënë pas dore këtë vend. Për demorkatët, ai po shkatërron PD-në.

E shkuara e Lulzim Bashës është makthi i tij sot dhe pengesa që ai se kapërcen dot.

Ndaj, Lulzim Basha duke e ditur se nuk ka pas tij as partinë e jo më më gjerë, ka dalë në rrugë duke kërcënuar qeveri e ndërkombëtarë se ai do hidhet nga ‘vinçi’ nëse nuk japin pushtetin që nuk e fiton dot.