Ura e Pelješac-it do të kalojë mbi gjirin e Mali Ston-it dhe do të lidhë kësisoj dy pjesë të Kroacisë, që ndahen nga një rrip toke prej 2,4 kilometrash e që i takon Bosnjë-Hercegovinës. Kjo urë do të jetë 2,4 kilometra e gjatë dhe 55 metra e lartë. Sipas përllogaritjeve, projekti ambicioz do të kushtojë 420 milionë euro, 85 përqind e të cilave janë fonde të BE-së. Tenderin për këtë projekt nuk e ka fituar një kandidat nga BE-ja, por sipërmarrja shtetërore kineze “China Road and Bridge Corporation”. Përveç çmimit të lirë, CRBC është zotuar se do ta mbarojë këtë ndërtim gjashtë muaj para afatit të parashikuar në tender.

Kroacia: Bashkëpunim me Huawei- Ky nuk do të jetë projekti i fundit kinez në Kroaci. Pas samitit EU-Kinë në Bruksel, kryeministri kinez Li Keqiang vazhdoi rrugën për në Kroaci, ku në datat 10-12 prill mbahet samiti i 8-të i ashtuquajtur “16+1”. Pas negociatave të vështira me kreun e BE-së, Li po zhvillon aty takime shumë më të këndshme. Aty ai do të nënshkruajë dhjetë marrëveshje bilaterale me Kroacinë, ndër të tjera edhe një memorandum bashkëpunimi të Entit shtetëror të Digjitalizimit të Kroacisë me prodhuesin kinez të telefonave, Huawei.

Kryeministri ka sjellë me vete edhe afro 400 sipërmarrës kinezë dhe bankierë, të cilët, do të kenë rastin të takojnë Dubrovnik me qindra sipërmarrje europiane. Takimi, i cili sipas medias kroate është “takimi më i madh ekonomiko-politik në historinë e Kroacisë”, bëhet në kuadër të një nisme të themeluar në vitin 2012 për të nxitur marrëdhëniet e biznesit ndërmjet Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Jugore, Juglindore dhe Qendrore. (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia dhe Sllovenia.)

Tema kryesore: Rruga e Mëndafshit- Për vendet në fjalë ky takim mund të jetë vërtet me pritshmëri pozitive. Por nisur nga fakti që ndër to janë 11 vende të BE-së, kjo në Berlin do të interpretohet sërish si një përpjekje e re e Kinës për të vendosur një pykë në BE. Një nga këto projekte që shihen me dyshim nga Evropa e që po diskutohet këto ditë në samit është “Rruga e Mëndafshit”. Ai parashikon investime prej së paku 900 miliardë dollarë, me të cilat Kina do të ndërtojë rrugë, hekurudha, gazsjellëse, hidrocentrale, rrjete telekomunikacioni, porte dhe aeroporte nga Azia drejt Evropës.
Portugalia, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Greqia, Polonia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Malta dhe vendet balltike janë marrë vesh me Pekinin për marrëveshje investimesh. Në Bruksel kjo shihet me shumë skepticizëm. Kohët e fundit, iniciativës së Rrugës së Mëndafshit i është bashkuar edhe Italia, një vend industrial dhe pjesë e G7-ës.

Brukseli është i shqetësuar se Kina do të jetë konkurrente me shanse të mëdha në tregun evropian, falë edhe ndihmës së madhe që u jep shteti sipërmarrjeve. Kina mund të bëjë oferta shumë të lira nëpër tenderë, sepse ajo i sjell me vete burimet, qofshin këto njerëzore apo materiale, duke reduktuar kështu edhe sasinë e madhe të çelikut dhe betonit që ka në vend. Edhe ura e Pelješac-it pritet që ndërtohet kryesisht me beton kinez dhe nga punëtorë kinezë e jo kroatë.

DW