Në debatin për raportin e Institutit të Komunizmit nuk munguan batutat në Kuvend. Deputeti Myslim Murrizi tha se duhet të hapen dosjet që shqiptarët dhe konkretisht qytetarët lushnjarë, zonë ku ai është zgjedhur deputet ta dinë se kush është spiun dhe kush jo.

“Ju keni thënë se nuk na ka dhënë informacion Helidon Bendo, Bilbil Mema apo Sandër Lleshaj. Institucionet nuk japin informacion se kanë frikë se nxjerrin pisllëqet e tyre. Ndaj kanë frikë që të bëjnë një ligj për hapjen e dosjeve. Dosjet duhen hapur për politikën, boll më të ketë spiunë në këtë sallë. Duhet të hapen me zot. Sill propozimin për ligjin. Tregojuni qytetarëve kush është spiun dhe kush jo” tha ai.

Për të sqaruar se kërkesat e Institutit drejtuar ministrisë nuk ishin bërë në kohën që ai është në detyrë, por atë të Fatmir Xhafajt, Sandër Lleshaj mori fjalën në foltore duke bërë edhe batuta me Myslim Murrizin.

“U ngrita se më përmendi emrin zoti Murrizi. E ndjek me shumë vëmendje zotin Murrizi se nuk më dukeni shumë konvencional dhe krijoni vëmendje kur flisni. Nuk jam në zonën tuaj elektorale nga Lushnja, pasi do të kisha votuar me kënaqësi për ju. Por mund të spostohem në Lushnje për hirin tuaj” tha ai duke shkaktuar ilaritet në sallë.