Bashkimi Evropian ka komentuar letrat e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreun e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Sipas BE-së letrat e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për homologun kosovar dhe serb janë një shenjë e mbështetjes për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç, është shprehur se ato i shohin këto letra si një si sinjal i mbështetjes nga SHBA për dialogun që zhvillohet nën udhëheqjen e BE-së. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës udhëhiqet nga presidentët Thaçi dhe Vuçiç nën mbikqyrjen e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, por tani Kocijançiç ka thënë se edhe SHBA-të janë “partner i rëndësishëm” në këtë process.

Gjithashtu në fjalën e saj ajo ka theksuar se BE ka “parametra të qartë” sa i përket zgjidhjes së mundshme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. “Puna është duke vazhduar drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve. Kjo do të sillte një zgjidhje të qëndrueshme për tema të hapura që duhet të bazohet mbi të drejtën ndërkombëtare, në përputhje me zakonet e BE-së dhe e pranueshme nga të gjitha shtetet anëtare”.

Në komisionin evropian kanë shtuar se çështja e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit ka qenë edhe temë e bisedave të presidentit Jean-Claude Juncker me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq. Juncker ka mbështetur vazhdimin e dialogut si dhe integrimin e mëtutjeshëm regjional të Ballkanit Perëndimor.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here