Bashkëshorti i Vaçe Zelës ka zbuluar për publikun se si është njohur për herë të parë në Lushnje me artisten e madhe. Pjetër Radiqi, i ftuar së bashku me të bijën, Irma, dhe miq e të njohur të Vaçes ka treguar sekrete nga nisja e tyre e dashurisë dhe se si ishte jeta me një divë të muzikës si ishte Vaçja. “Unë kam kryer shërbimin ushtarak në Lushnje, nga 5-6 km larg Lushnjes, kënaqësia e vetme ishte të shëtisje, e vetmja qendër ishte Shtëpia e Kulturës dhe unë e frekuentoja shpesh”- ka thënë ai, duke shtuar se ndërkohë që ishte aty as e kishte idenë se ekzistonte Vaçja.

“Nuk e dija që ajo ekzistonte, unë e kam njohur duke luajtur një lojë bilardo, shumë e çuditshme, pasi ndërkohë që unë edhe sot e kësaj dite nuk di të luaj. Aty jemi njohur për herë të parë, mesa duket është tërheqja, ajo që thuhet dashuria në vështrimin e parë, aty nisi”-tregon ai. Nuk kujton se kush e fitoi atë lojë, por e kujton mirë përshtypjen që i bëri Vacja që në fillim. “Vaçja ishte edhe shumë e zgjuar, inteligjente në plot kuptimin e fjalës, Vacja si ishte këngëtare e madhe ishte edhe shumë e zgjuar dhe më tërhoqi me intelektin e saj, në atë kohë ne ishim të rinj, kishim interesa për letërsinë”- thotë ai.

Ishte e vështirë jeta me të? “Ajo u bë shumë e njohur shumë shpejt, pasi u njohëm bashkë, në atë periudhë u bë menjëherë shumë e njohur. Unë deri vonë fare e kisha shumë bezdi kur më thonin burri i Vaçes, kurse tani është e kundërta, tani kur prezantohem u them që janë i shoqi i saj”- thote ai. Ai tregon se ajo nuk ndihej si divë e madhe, pasi ishte shumë modeste. “Ajo si ishte e madhe qe edhe modeste, nuk ishte e kollajshme, Irma ma kujtoi një gjë. Më ka thënë Zhvarc, një mik i mirë i familjes, më ka kujtuar një shprehje të famshme, që gruaja e zgjuar është si këpuca që të vret, edhe ai kishte një grua të zgjuar fort, motrën e Prokop Mimës”- thote bashkeshorti. (TCH)