Ditën e sotme, këngëtarja e njohur Arilena Ara feston 21-vjetorin e saj të lindjes. Sapo ka hyrë mesnata, për këngëtaren kanë nisur urimet e shumta nga familjarët, miqtë, kolegët si dhe fansat e saj. Mirëpo, urimin më special të ditëlindjes Arilena e mori nga menaxheri i saj prej 8 vitesh, Popi Kola, i cili në profilin e tij në Instagram kishte publikuar dy foto me këngëtaren. Njëra prej tyre ishte në fillimet e karrierës së Arilenës, ndërsa tjetra ishte një foto e shkrepur gjatë këtyre ditëve.

“Gëzuar ditëlindjen vogëlushe! E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e lumturisë time! 8 vite histori bashkë dhe 80 më shumë për të ardhur. ‘Bashkë, përgjithmonë, vetëm”, ishin fjalët e Popit të cilat e kanë emocionuar Arilenën. Këngëtarja e ka ripostuar këtë urim ditëlindjeje dhe krahas tij ka shkruar “Gjithçka”, duke etiketuar menaxherin e saj.

Kujtojmë se prej disa javësh Arilena është larguar drejt Shteteve të Bashkuara, ku po përgatit këngën e re me të cilën do të marrë pjesë në festivalin e Radio Televizionit Shqiptar. Kënga e saj do të prezantohet në dhjetor të këtij viti dhe nëse shpallet fituese, Arilena do të përfaqësojë vendin tonë në Eurovision-in e vitit 2020.