Si në rastet e mëparshme, pas protestave, Lulzim Basha e ka drejtuar turmën drejt selisë së Partisë Demokratike.

Duke deklaruar mbylljen e tubimit, Basha tha se politikanët e korruptuar do të japin llogari para ligjit.

Ai u shpreh se dita e sotme hyri në histori si dita e dytë e zgjimit kombëtar.

“E sotma hyri në histori si dita e dytë e zgjimit kombëtar pas ditës që rrëzoi komunizmin. Për këtë, çdo brez që vjen ju ka borxh mirënjohjen juve misionarëve të lirisë. E gjithë bota e pa sot bashkimin tonë kundër krimit” – tha Basha.

Ai i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar të mos dëgjojnë Edi Ramën, por zërin e mbështetësve të opozitës.

Lulzim Basha tha në anglisht për ndërkombëtarët se nuk do të ketë stabilitet në Shqipëri pa demokraci, ndërsa shtoi se aksioni opozitar do të vijojë në çdo qytet deri në largimin e qeverisë.

Kreu i PD nuk kurse as provokimet. Lulzim Basha u shpreh se Edi Rama kishte vënë bast për pjesëmarrjen e sotme në protestë, por më pas u fsheh në Poliçan.

“Ne nuk do t’i themi kurrë legjitime një qeverie të krimit. Kuvendi i kriminelëve sot është kthyer në Pazarin e Milotit” – tha ai referuar deputetëve të rinj që dita-ditës po marrin mandatet e dorëzuara të PD-LSI.