Pas një mungese në publik, kryetari i Partisë Demokratike ka mbledhur sot gazetarët duke u shprehur se Shqipëria po shkon drejt një grushti shteti.

Deklaratat e Lulzim Bashës erdhën në mes të seancës të Kuvendit ku po zhvillohet mocioni me debat për dekretin e presidentit Meta.

Sipas kreut të PD, ky akti po kryhet nga Edi Rama në bashkëpunim me narko-shtetin dhe mafian.

“Në këto kushte kur nuk ka asnjë dyshim se zgjedhjet e vitit 2017 u diktuan nga paratë e pista të drogës dhe kërcënimi masiv. Ne e denoncuam këtë që prej ditës së parë. Raporti i ministrave teknikë i publikuar në fund të korrikut të dy viteve më parë zbuloi shkallën kriminale të shti-blerjes së votës” – tha Basha.

Ai tha se shkarkimi i Metës ka si qëllim ta shpërqëndrojë vëmendjen e opinionit publik.

“Njeriu i ardhur në pushtet nga paratë e krimit të organizuar kërkon të largojë fokusin nga vetja e tij. Kuvendi po zhvillon sot një teatër për të cilin Edi Rama ka nevojë jetike” – tha kreu i PD.

Lulzim Basha bëri thirrje që qytetarët shqiptarë të çohen në protesta ndaj tentativës së qeverisë.

“Në kushtet kur po përpiqet të bëhet një grusht shteti dhe të shkarkohet Presidenti, është detyrë e çdo qytetari që të ngrihet dhe ta mbrojë demokracinë” – tha Basha në takim me gazetarët.