Me nxitim të madh ka dalë nga takimi me kryetarët e degëve, në selinë blu. Gazetarët e kanë pyetur për vendimin e Kolegjit të kryetarëve se si do të vijojë aksioni i opozitës kundër qeverisë, por Basha përgjigjen e parë e dha: Jam me vonesë.

Duke nxituar të futet në makinën e tij, gazetarët mundën t’i marrin një prononcim të shkurtër kryetarit të Partisë Demokratike, i cili tha se protestat do të vijojnë deri në alrgimin e qeverisë Rama. Por ende nuk ka një datë se kur do të jetë protesta e radhës. Më 21 mars Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë seancë plenare. Më herët opozita ka deklaruar se do të protestojë para Kuvendit, çdo herë që do të ketë seancë plenare. Por ndërsa data e seancës është ndarë, demokratët ende nuk e kanë caktuar datën e protestës së radhës, pas 5 tubimeve që ka mbsajtur më herët kundër kryeministrit Rama, disa prej të cilave të dhunshme.

“Protesta do të ketë pafund derisa të largohet kjo qeveri. Do t’ju informojmë për çdo datë dhe për çdo zhvillim. Vendimi i kryesisë është në fuqi, këto janë takime organizative. Protestat do të vazhdojnë dhe do të fuqizohen nga dita në ditë, nga java në javë, deri sa të realizojmë atë që do çdo shqiptar. Zgjedhje të lira e të ndershme, një qeveri nga populli, për popullin dhe të popullit”, tha Basha.