Krerët e opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi dolën dje para mediave dhe dhanë lajmin se me votim unanim është vendosur djegia e mandateve të deputetëve të PD e LSI.

Lëvizja e re politike e opozitës ka qënë e papritur ndoshta për një pjesë të shqiptarëve, por për ndërkombëtarët është quajtur pjesë e bojkotit parlamentar që vijon këtu e pesë vite.

Por në politikë, si kudo në çdo cep të jetës, kur ndërmerr një veprim, duhet të kesh llogaritur në detaje të gjithë elementët që vijnë pas. Pra të kesh dhe një plan “B”, më e mira dhe një plan “C”.

Eshtë njëlloj si loja e shahut ku dhe lojtari më i dobët duhet të ketë përllogaritur sëpaku lëvizjen e tretë jo vetëm të kundërshtarit, por dhe të veten.

E thënë në gjuhë më të thjeshtë për qytetarët, me djegien e mandateve ku mund të arrihet nga ana e opozitës dhe sa shanse të realizohet kauza e saj për një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohëshme pa Ramën kryeministër?!

Duke mos hyrë në faktin se emri i kryeministrit të një force politike që fiton zgjedhjet nuk hyn tek dëshirat epo preferencat e opozitës, me kushtetutën dhe sistemin e sotëm elektoral e kanë votuar qytetarët për të qeverisur vendin një mandat 4 vjeçar, djegia e mandateve ka një ngërç.

Nëse hap pas hapi, duke respektuar procedurat ligjore të gjithë deputetët e PD dhe të LSI firmosin heqjen dorë nga mandati i deputetit, por dhe askush nga lista që vjen poshtë tyre nuk preferon të marrë mandatet e lënë, Kuvendi do të ketë vetëm deputetët e PS.

Parlamenti një ngjyrësh do të jetë diku tek 78-80 deputetë, përfshirë deputetin e PSD dhe ndonjë “rrjedhje” nga dy partitë e mëdha të opozitës.

Shumica e thjeshtë parlamentare është e siguruar, por gjithë beteja e opozitës, të paktën nga ajo që dëgjohet në ligjërimin e saj publik, është krijimi i një qeverie tranzitore dhe zgjedhjet e parakohëshme.

Me opozitën jashtë Parlamentit pasi ka djegur mandatet, dhe deputetët e mazhorancës që nuk duan të votojnë një “qeveri tranzitore” që kërkon PD dhe LSI, kush do ta votojë kabinetin e ri qeveritar të kërkuar?!

E themi këtë, pasi veprimi i njëanshëm i opozitës dhe vënia para faktit të kryer nuk lë asnjë shans që të arrihet një kompromis me mazhorancën socialistë në pushtet, që ka votat e vetme për të qeverisur deri në vitin 2021.

Dhe në rastin më të mirë, dhe nëse votohet “qeveria tranzitore” e kërkuar nga opozita, do ta pranojë një kabinet qeveritar të dalë sërish nga votat e deputetëve të PS?! Pasi rezulton sërish një kabinet “tranzitor” qeveritar i votuar nga socialistët dhe prap ngërçi politik është në prag.

Me sa duket opozita ose ka hyrë në këtë rreth vicioz politik me djegien e mandateve duke mos pasur asnjë plan “b”, ose i është “dorëzuar” kësaj kauze spontane, me idenë se procedurat zgjasin, dhe gjatë “’rrugës” do të ofrohet një “Pazar” më i mirë.

Për më tepër që Brukseli ka folur qartë: Ky veprim i opozitës pengon negociatat! (M.Nikaj)