Ish-qendërmbrojtësi legjendar i Barcelonës, Carles Puyol, beson se drejtuesit e klubit katalonas duhet ta harrojnë të kaluarën me Neymarin, në tentimin për ta kthyer brazilianin në Camp Nou këtë verë. Neymari, 27-vjeçar, mund të largohet nga Parc des Princes këtë sezon, pasi drejtori sportiv i Paris Saint-Germainit e konfirmoi se klubi është i gatshëm ta shesë brazilianin nëse i vjen një ofertë mjaftueshëm e mirë për të.

Braziliani e la Barcelonën duke kaluar në PSG për 222 milionë euro para dy vjetëve, kur u bë futbollisti më i shtrenjtë në histori të këtij sporti. Megjithatë, për të është spekuluar për një kthim në Camp Nou. Ish-kapiteni i Barcelonës, Puyol, i cili i fitoi 18 trofe me klubin katalonas, tha se e kaluara nuk duhet të ketë aspak ndikim në vendimin e kampiones së La Ligës, Barcelonës.

“Në fund të fundit, ti duhet ta vlerësosh të tashmen dhe jo aq shumë të kaluarën. Nëse lojtari është në shitje dhe ti ke nevojë për të, nuk ke pse të mendosh për atë që kishte ndodhur para disa viteve”, u shpreh Puyol. “Neymari është një lojtar i mrekullueshëm që mund ta bëjë një ndryshim të madh. Ai nuk ka arritur ta tregojë më të mirën e tij në PSG për shkak të lëndimeve, por ai ende ka shumë për t’i dhënë futbollit”. Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, tha javën e kaluar se braziliani dëshironte të largohej nga kampioni i Ligue 1, por i mohoi spekulimet se klubi katalonas do ta blejë atë duke thënë: “PSG-ja nuk dëshiron ta lejojë atë të largohet”.

Por, drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, dje zbuloi se kampioni francez është i gatshëm ta lejojë largimin e Neymarit nëse ndonjë klub bën ofertë mjaftueshëm të mirë. Komentet e Leonardos erdhën në të njëjtën ditë kur PSG-ja bëri të ditur se do të ndërmarrin veprime ndëshkuese nga sulmuesit brazilian, pasi që ai nuk u shfaq për stërvitje të hënën, edhe pse babai i Neymarit tha se klubi ishte pajtuar që futbollisti të pushonte më gjatë.