Guvernatori i Bankës së Anglisë paralajmëroi qeverinë britanike se çmimet e pasurive të patundshme mund të pësojnë rënie nga 25 deri në 35%, në skenarin më të zymtë në rastin e Brexit pa marrëveshje, raportoi sot media.

Dje pasdite, Mark Carney i paraqiti Këshillit të Ministrave disa raste hipotetike se çfarë mund të ndodhte me ekonominë britanike, veçanërisht në rastin e Brexit pa marrëveshje midis Londrës dhe Brukselit.

Bazuar në skenarin më të errët, çmimet e pasurive të patundshme do të shënonin rënie nga 25 deri në 35% në tre vite, norma e papunësisë nga 4% që është aktualisht do të rritet duke u regjistruar në më shumë se 10% dhe transporti ajror dhe hekurudhor midis Britanisë së Madhe dhe BE-së do të bllokohet.

Media britanike raportoi sot me shumë rezerva këto të dhëna, megjithëse një ministër i pranishëm në takim deklaroi për të përditshmen ”The Guardian” se kjo ishte vetëm një hipotezë pune për Mark Carney. Ai nuk tha se e gjitha kjo do të ndodhte, por të gjithë pajtohen me faktin se duhet marrë parasysh skenari më i keq’’, pohoi për gazetën ministri, emri i së cilit nuk bëhet i ditur.