Letër e hapur

I dashur Mustafa!

Nuk kanë qenë të pakta çastet kur kam thënë: I lumtë Mustafait. Përgëzimet e mia për bashkëpunimin e tij me gazetarët serbë për çlirimin e Ballkanit prej tutelave nacionaliste mesjetare. Vetë ju, Mustafa keni thënë shpesh nëpërmjet shkrimeve tuaja nëpër gazeta e portale se duhet të distancohemi prej së kaluarës heroike. Duhet ta falim njëri-tjetrin dhe të shohim përpara drejt një fqinjësie paqësore. Deri këtu Mustafa jemi në të njëjtën linjë.

Mirëpo ditët e fundit, ju i nderuari Mustafa, po zhbëni ato këshilla të vyera që ju na i keni servirë me aq pasion dhe sinqeritet. E kam fjalën për deklaratat e juaja në lidhje me prejardhjen e nënës së Skënderbeut, që sipas jush na paska qenë serbe. Mua, personalisht, Mustafa, nuk më bëhet edhe aq vonë nëse nëna e tij ka qenë serbe, greke, apo italiane. Jo! Për mua ka rëndësi vepra e Skënderbeut. Sesa pozitive apo negative ka qenë ajo, këtë unë ia lë historianëve.

Kështu Mustafa, ju nga njëra anë na deklamoni mesazhe përfaqësimi për Ballkanin dhe nga ana tjetër bëni historianin tipik ballkanik. Atë lloj historiani që ka si detyrë kryesore të mbajë të ndezur shpirtin e heroit ballkanik mesjetar, për të cilin hartat me bark dhe këmbë të stërgjata, kishin më shumë vlerë sesa paqja e ndërmjetme e popujve në gadishull. Shkurt Mustafa, unë mendoj se nuk duhet të merremi me prejardhjen e nënave dhe baballarëve të heronjve mesjetarë, sepse po ta bëjmë këtë, historianët dhe Tiranët që fshihen mbas tyre do të fërkojnë duart dhe vajisin topat e luftërave të reja!

Mustafa! Të përgëzoj edhe një herë për përpjekjet e tuaja që ke bërë duke bashkëpunuar me gazetarët serbë. Ama, Mustafa, ndaje mendjen. Jeni për një Ballkan modern apo për një Ballkan Mesjetar? Vetë e ke thënë se Ballkani nuk shpëtohet duke e ushqyer me harta e viza gjigante. Ose bashkoju qerres së historianëve ekstremistë ballkanikë ose qëndroi besnik atij Mustafait tjetër, të cilin unë kam aq dëshirë ta lexoj dhe ta citoj kudo.

P.S: Mustafa! Supozo se ju do t’ishit një serb dhe mamaja ime të ishte serbe. Qe ta dish, mamaja ime nuk ka lexuar kurrë në jetë, madje nuk më ka lexuar as librat e mij. E megjithatë unë, biri i saj, merrem me letërsi dhe ideale të vyera. Kam frikë se nëse ju do të jetonit edhe nja 200 vjet, e unë do të bëhesha i famshëm në letërsi, ju, do të krenoheshit mbas 200 vjetësh me nënën time serbe, ndërkohë që ime më AS që e ka pas haberin e letërsisë e AS që më ka inkurajuar të bëj letërsi.

Sinqerisht nga Holanda: – Rezart Palluqi-Dita

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here