Nga Prrenjasi ku mori pjesë në hapjen e një biznesi të ri në këtë qytet, kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla garantoi investitorët vendas e të huaj në Shqipëri se janë të sigurt dhe se qeveria do të vijojë t’i mbështesë. Ai tha se Meta, Berisha, Basha dhe Kryemadhi i kanë borxhe Shqipërisë. “Së pari garantoj të gjithë partnerët me të cilët ju punoni në çdo vend të Europës që Shqipëria është në stabilitet të plotë. Te jeni të sigurtë se përpjekja e disa politikanëve karrigethyer të cilët duan të krijojnë imazhin se në Shqipëri po ndodh hataja, është e dështuar.

Janë vetëm 5 mijë m2 në bulevardin e Tiranës, një herë në javë, e cila është një peligrinazh i politikanëve të korruptuar që po bëjnë gjithçka për të penguar zhvillimin e vendit, rrugën europiane të Shqipërisë, e cila kalon përmes Reformës në Drejtësi. Dua ta garantoj se investimi është i sigurtë. Edhe një herë dua tju falenderoj për këtë dhuratë të çmuar që i bëtë Bashkisë Prrenjas, po të kemi parasysh që aktualisht janë 200 gra të punësuara dhe sipas asaj që më shpjeguat synimi është të arrijë në 400 vende pune.

Në 30 vitet që ju përmendët, nuk di që Shqipëria t’i ketë ndonjë borxh Ilir Metës. Unë di që Ilir Meta i ka borxhe Shqipërisë. Në këto 30 vite Ilir Meta i ka provuar të gjitha nga Shqipëria, ka qenë dy herë kryeministër, dy herë zv.kryeministër, dy herë ministër i jashtëm, kryetar parlamenti, president i republikës. Po ashtu, nuk di çfarë borxhi i ka Shqipëria Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe bashkëshortes së Ilir Metës. Por këta të katërt i kanë hyrë në borxh Shqipërisë dhe prandaj Shqipëria në 30 Qershor do t’u japë një mesazh shumë të qartë. Vota e 30 Qershorit është një votë për të vijuar me këtë që ju po bëni këtu, për të krijuar sa më shumë vende pune për qytetarët e këtij vendi që e shohin të ardhmen tek puna dhe jo tek dhuna” tha Balla.