Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka kërkuar sot pafajësinë ndaj procesit gjyqësor me Shkëlzen Berishën, lidhur me çështjen CEZ. Berisha e ka akuzuar Ballën për shpifje, ndërsa kërkon dënimin e tij.

Në një prononcim për mediat, jashtë gjykatës penale, Balla u shpreh se dosjet korruptive të politikanëve do të hetohen të gjitha. “Asnjë dosje korruptive nuk do mbetet pa hetuar. Lufta kundër korrupsionit dhe beteja kundër politikanëve të korruptuar nuk do mbarojë asnjëherë. Prokuroria e re që po lind duhet të rimarrë një nga një të gjitha këto dosje. Cez është një prej ajsbergëve të mëdha të korrupsionit që ka notuar në Shqipëri. Në vitin 2017 kemi depozituar një dosje në Prokurori që fillon me Sali Berishën.

Sot më shumë se kurrë, politikanët që kanë qenë kundër reformës në drejtësi, ta kenë të qartë se reforma në drejtësi është në rrugë pa kthim. Hetimi i plotë do të shkojë deri në fund”, tha Balla. Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët për protestën e radhës së opozitës, Balla u shpreh se jemi 30 ditë larg nga dita e zgjedhjeve, dhe në 30 qershor do të fitojnë shqiptarët. “Sot jemi 30 ditë nga zgjedhjet jemi në fushatë. Zgjedhjet janë një moment i rëndësishëm. Pas 30 qershorit është një mundësi e artë edhe për PD dhe LSI që të reflektojnë.

2019 është vit historik për aspiratën integruese se do jetë viti i fillimit të bisedimeve për anëtarësim”, u shpreh ai.