Përderisa e ardhmja e Gareth Bale në skuadrën e Real Madridit mbetet e paqartë, anësori uellsian e ka eliminuar njërin opsion që ishte raportuar nga mediat: transferimin në Superligën e Kinës. Uellsiani i Real Madridit ka qenë i lidhur me një transferim drejt Kinës nga shumë media spanjolle gjatë ditëve të fundit, mirëpo ai nuk është duke e shqyrtuar mundësinë e shpërnguljes në Azi këtë verë.

E përditshmja spanjolle raporton se nëse ai detyrohet të largohet përfundimisht nga Real Madridi, Bale dëshiron ta vazhdojë karrierën në ndonjë tjetër klub të madh evropian. Megjithatë, Bale synon të qëndrojë edhe më tutje me “Los Blancos” dhe ai e fitoi betejën e parë pasi që ishte pjesë e skuadrës madrilene që udhëtoi për në Kanada dhe SHBA për ta mbajtur turneun parasezonal.

Ai e di se koha është në anën e tij, pasi që klubet angleze kanë të drejtë të transferojnë futbollistë vetëm deri më 8 gusht, pasi që në Angli filloi më herët se në vendet e tjera afati kalimtar. Mediumet spanjolle kishin raportuar qysh në maj se Bale e ka synim të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” të paktën edhe tri vjet të tjera, deri kur t’i përfundojë kontrata e tij me madrilenët.

Real Madridi nuk ka marrë ende asnjë ofertë për Bale gjatë këtij afati kalimtar dhe sulmuesi synon të vazhdojë t’i fitojë nga 17 milionë euro në vit, sipas kontratës së tij aktuale.