Nga Flogert Muça/

Java që po lëmë pas iu dedikua e gjitha çështjes ‘Babale’. Në të gjitha studiot televizive dhe portale vërshuan analizat, deklaratat politike, një video e re, disa përgjime të reja dhe debate për vërtetësinë e tyre. E thënë me fjalë të tjera, historia sot për opinionin publik është e paqartë, falë rrëmujës e cila krijohet në jo pak raste me qëllim për të çakorduar publikun.

Por, që të kuptojmë se në çfarë faze është çështja ‘Babale’, pavarësisht zhvillimeve të reja, duhet të kthehemi në pikën ku filloi e gjithë kjo histori dhe duhet të kemi parasysh faktet që kemi deri në momentin që flasim. Vetëm duke lexuar faktet që janë fatmirësisht të pakundërshtueshme, mund të flasim më tej për evoluimin e kësaj historie që zgjat prej muajsh.

Në datë 17 maj 2018, nga selia blu u trasmetua një intervistë mes gazetarit Jetmir Olldashi dhe Albert Veliut (i njohur si Babalja), ku pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm ishte i përfshirë në trafikun e narkotikëve dhe për këtë kishte folur me Babalen. Ky pretendim i PD-së e cila i vuri gjoksin gjithë historisë, deri para dy javësh qëndronte, pasi akoma nuk kishim hetimin e Prokurorisë që të provonte nëse ishte apo jo e tillë e vërteta.

Por nga hetimi i Prokurorisë dolën disa fakte që rrëzuan pretendimin e PD-së se zëri i personit që flet me Babalen, është i vëllait të ministrit të Brendshëm.

Fakti i parë që rrëzoi pretendimin e PD-së ishin analizat e laboratorit anglez, i cili konfirmoi se në atë audiopërgjim, nuk ishte zëri i Agron Xhafajt, por i Alfred Alizotit. Thënë këtë, çdo dëshmi e re apo detaj i ri që mund të dalë apo ka dalë në skenë i bën mirë hetimit të plotë të ngjarjes, por nuk e zhbën faktin se në atë audio-përgjim nuk ishte Agron Xhafaj, por Alizoti.

Fakti i dytë që konfirmon të parin është pranimi nga Alfred Alizoti në Prokurori se ishte ai që kishte luajtur rolin e vëllait të Fatmir Xhafajt. Ky është fakt që pavarësisht çfarë tabulati, videoje apo shkrese del në vazhdim, nuk e prek thelbin që në atë videopërgjim nuk ka qenë Agron Xhafaj, duke rrëzuar kështu gjithë pretendimin e PD-së. Sigurisht që çdo provë e re për çështjen duhet të hetohet, por jo më për të vërtetuar nëse ishte apo jo vëllai i Xhafajt në audiopërgjim, sepse ajo tanimë është një temë e mbyllur.

Fakti i tretë që përforcon dy të parët është biseda mes Babales dhe Alizotit. Në atë bisedë ata qajnë hallin si të marrin paratë (200 mijë euro) e premtuara nga PD-ja. Kjo bisedë duke lënë mënjanë faktin që implikon shumë rëndë PD-në, është një tjetër fakt që tregon se pretendimi i PD-së është rrëzuar përfundimisht. Natyrisht, që në vazhdim mund të dalin siç kanë dalë edhe emra të tjerë, video të tjera, dokumenta apo çfarëdo lloj produkti i ri i cili meriton hetim të plotë dhe zbardhje sa më të shpejtë, por asgjë nuk mund t’i ndryshojë faktet që nxjerrin nga loja vëllain e ministrit Xhafaj dhe lë në lojë aktorët e tjerë.

Fakti i katërt dhe më i freskëti janë deklarimet e reja të Alizotit në Prokurori, ku si ditën e parë edhe dje, thekson se ai ka luajtur rolin e vëllait të Xhafajt dhe për këtë rol i janë premtuar nga Babalja 100 mijë euro.

Sa më lart, nuk ka më asnjë debat për çështjen ‘Babale’ në kontekstin që PD e ngriti dhe trumbetoi. Sot është rrëzuar me fakte se në atë audiopërgjim nuk ishte i përfshirë vëllai i ministrit të brendshëm, siç opozita pretendoi. Çfarëdo që thuhen në emisione apo portale, ka vetëm një fakt thelbësor që nuk duhet harruar: Në audiopërgjimin që PD pretendon së flet Agron Xhafaj, në fakt flet Alfred Alizoti.

Ndërsa të gjitha videot, dokumentat, tabulatet që kanë dalë ose mund të dalin në vazhdim meritojnë hetim të plotë, por nuk ndryshojnë asgjë nga thelbi i çështjes që tanimë mund të quhet një histori e mbyllur. Agron Xhafaj nuk ishte në atë audiopërgjim dhe këtë e vërtetojnë faktet. Pretendimi i PD-së ka rënë dhe këtë e thonë faktet. Sa për zhvillimet dhe pistat e reja të historisë, sigurisht që duhet hetuar edhe për ato që thuhen për Salianjin, Ballën, Sali Lushën, Florenc Hoxhën, Salianjin, Lulin e të gjithë ata që mund të dalin nëpër në vijim. E sigurisht që duhet pritur njëlloj si për Babalen që të flasë Prokuroria pasi të hetojë./Lexo.al

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here