Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për Albert Veliun, njeriu që denoncoi publikisht në një intervistë për gazetarin Jetmir Olldashi dhe e publikuar nga Partia Demokratike se vëllai i Fatmir Xhafajt ishte i përfshirë në trafik droge.

Pas mbylljes së hetimeve Prokuroria përmes përfaqësueses së saj ka dalë në një deklaratë për mediat ku sqaron se si u krijuan provat e rreme.

Deklarata zyrtare e Prokurorisë së Krimeve të Rënda:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në datë 17.05.2018 ka regjistruar procedimin penal Nr. 95/v.2018 për vepren penale të “Trafikimit të narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me vërtetësinë e audio-regjistrimit të bisedës së zhvilluar midis “Bashkëpunëtorit X” dhe “Agronit” ekziston dyshimi që jemi para veprës penale të “Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim” parashikuar nga neni 305/25 i Kodit Penal, e kryer në formën e krijimit të provave të rreme me qëllim që të bëhen ndjekje penale.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me vendimin Nr. 142 datë 06.10.2018 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Albert Veliu, si i dyshuar për kryerjen e veprat penale të “Kallëzimit të rremë” dhe “Kalimit të paligjshëm të kufirit” parashikuar nga nenet 305/25 dhe 297 të K. Penal.

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Fredi Alizoti, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 305/25 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin Jetmir Olldashi, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 305/25 i Kodit Penal. Në datë 06.10.2018 janë ekzekutuar vendimet e Gjykatës. /Lexo.al/