Nga Gertjan Kosovari/ Javanews.al

EKSKLUZIVE/ OSBE/ ODIHR do t’i besonte edhe njëherë një fushatë elektorale shqiptare (më saktë për të katërtën herë) një personazhi të njohur për politikën tonë dhe veçanërisht për Sali Berishën, ambasadores së hekurt Audrey Glover.

Glover është rikthyer në krye të misionit të monitorimit për zgjedhjet e nxehta lokale të 30 qershorit, në një klimë pezullie dhe ankthi që lidhet me fatin e vetë procesit.

Historia e Audrey Glover me Shqipëri ka nisur qysh herët. Atëhere kur Shqipëria ishte një territor ku ligji dhe partitokracia vegjetonin në formën më të dhunshme. Për herë të parë ambasadorja Glover erdhi në vendin tonë në zgjedhjet më të vështira të historisë së pluralizmit shqiptar, ato të 26 majit të vitit 1996, ku në fund ajo firmosi një raport që i cilësonte zgjedhjet, si jo të lira dhe të ndershme. Ka qenë një vendim që do ta vendoste prej atij momenti, në kurs përplasjeje me presidentin e kohës Sali Berisha. Ishte vendimi më drastik që një mision vëzhguesish ndërkombëtarë kishin marrë për zgjedhjet tona. Në atë kohë dhe raporti u cilësua nga PD-ja që ishte në pushtet si jo realist, por kjo nuk pengoi që në vijim të atij dokumenti, zgjedhjet të dënoheshin gjerësisht nga organizmat ndërkombëtare. Zonja Glover kishte prekur me dorë nervin e zbuluar të shtetit të Sali Berishës.

Raporti final për i vëzhguesve të ODIHR ishte dërrmues. Ata deklaruan se zgjedhjet janë kompromentuar, nuk ka pasur asnjë rregull zgjedhor që nuk është shkelur. Konkluzioni i vëzhguesve ishte më shumë se i ashpër, pasi gjatë votimit ishin shkelur 32 nga 79 nenet e ligjit zgjedhor.

Ishte kjo përplasja e atyre viteve që provokoi një reaksion të fortë tek PD, ndaj rikthimit të Glover në krye të misionit të rradhës në misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit 2009.

ODIHR në vitin 2009 do të deklaronte se qeveria e kohës kishte kundërshtuar caktimin e ambasadores Audrey Glover si kryesuese e misionit vëzhgues ndërkombëtar, pasi gjetjet e saj për zgjedhjet e vitit 1996 hasën kundërshti nga qeveria e asaj kohe.

Por nuk mbaronte me kaq. Glover dhe zgjedhjet shqiptare ishin të destinuara të krijonin një binom fatal. Ambasadorja Glover do të rikthehej për një herë të tretë në Shqipëri, me rastin e zgjedhjeve lokale të vitit 2015. Bashkë me 250 vëzhgues ndërkombëtarë, ajo pa nga afër procesin zgjedhor të rradhës, në një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo që mbante mend.

Tani, në misionin e saj të katert elektoral në vendin tonë, ajo është në krye të vëzhguesve të zgjedhjeve të 30 qershorit. Qysh në krye të herës, përzgjedhja e saj për këtë mision që zhvillohet në kushte tejet delikate, u pa si një shenjë e tërthortë e vullnetit të OSBE-ODIHR për rëndësinë që i kushtonin zgjedhjeve lokale. Edhe një herë, këtë rradhë indirekt, ambasadorja britanike është përpara të njëjtës forcë politike, që ka në sfond të njëjtin person që ka frymëzuar djegien e mandateve dhe braktisjen e zgjedhjeve – Sali Berishën.

Armiqësia e Glover me Berishën ka lënë shenjë të thellë tek ky i fundit. Ai e konsideron Glover si të njëanshme dhe thotë se ajo është zëdhënëse e Ramës.

“Në vitin 1996 ajo drejtoi misionin e ODHIR-it dhe firmosi një raport prej 36 faqesh, në të cilin nuk citohej qoftë dhe një fakt i vetëm për shkelje gjatë zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor.

Në vitin 2009 ajo erdhi përsëri në krye të misionit të ODHIR-it. E pranova atë vetëm sepse Edi Rama, po ta refuzonte, do të bojkotonte zgjedhjet, por ajo, që në periudhën parazgjedhore u shndërrua në një zëdhënëse të Edi Ramës, shpifjeve dhe trillimeve të tij. Pasi zgjedhjet u zhvilluan normalisht, ajo, hartoi pas dy muajsh një raport tërësisht tendencioz përsëri pa asnjë fakt dhe të pavërtetë.

Kështu që, ardhja e saj si aleate e mike e ngushtë e kahershme e Partise Socialiste ngjall te shqiptarët, së paku tek populli opozitar, mosbesim të madh në objektivitetin në monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri prej saj, duke patur parasysh qëndrimet e saj të shkuara të zgjedhjeve në Shqipëri”, shprehej Berisha për Glover para zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, duke mos e fshehur pezmin e tij për dëmin që kritikat therëse të Glover i kanë shkaktuar, duke e ekspozuar si zyrtarin që më së shumti ka dëmtuar proceset zgjedhore në Shqipërinë postkomuniste.

Por si mendon Audrey Glover pas 23 vitesh për zgjedhjet shqiptare? Cila është përshtypja e saj nga sa ka parë e përjetuar në fushatat shqiptare? “Viti 1996 është një kohë goxha e hershme, kam frikë se nuk e mbaj mend saktësisht situatën në atë kohë. Gjithsesi çdo zgjedhje është e ndryshme dhe brenda të njëjtit vend është shumë e vështirë të krahasosh dy zgjedhje për shumë arsye situata, politike dhe kështu me radhë. Unë them vetë le të vëzhgojmë këto zgjedhje, le të përqendrohemi në këto zgjedhje dhe të mos shqetësohemi shumë për zgjedhjet e mëparshme”, thotë Glover, duke i devijuar me diplomaci pyetjes së gazetarëve. Mëse e kuptueshme për njeriun që është përherë në krye të kreshtës së dallgës, sa herë që në Shqipëri ka një palë zgjedhje.

Javanews.al