Në Dibër është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Monitori”. Nga ky operacion u sekuestruan 17 kompjuterë për lojëra fati, çipsa dhe aksesorë të tjerë që shërbenin për të ushtruar këtë veprimtarinë e kundraligjshme, të lojrave të fatit. Nga ky operacion, u arrestua shtetasi me iniciale A.T, 25 vjeç, banues në Peshkopi.

Gjithashtu gjatë kontrollit në apartamentin e të dyshuarit, u konstatua se ai kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Materialet hetimore do ti referon Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Edhe në Elbasan, janë goditur dy raste të tjera të ushtrimit të aktivitetit të kundraligjshëm të lojërave të fatit. Janë proceduar penalisht shtetasit G.B dhe A.M, të dy banues në Elbasan, dy pronarë të subjekteve, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, dhe ” Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në ambientet e lokalit të tyre “Bar kafe”, ushtronin aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Gjatë operacionit është sekuestruar një kompjuter (ipad) dhe një makinetë elektronike që dyshohet se përdoreshin për lojërat e fatit.