Altin Toska u zgjodh kryetar i Bashkisë së Cërrikut në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe i koalicionit të atëhershëm, Aleanca për Shqipërinë Europiane. Toska e fitoi mandatin e kryebashkiakut me 59.50% të votave.

Altin Toska është diplomuar për drejtësi në Fakultetin Juridik të Tiranës si dhe ka marrë titullin avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë. Në vitin 1998, Toska emigroi në drejtim të Italisë, ku ka jetuar për më shumë se një dekadë së bashku me familjen. [Lexo CV-në e plotë]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit,  në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i bashkisë së Cërrikut nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se kryetarit te Bashkise se Cerrikut, Altin Toska per vitet 2015-2017.

Kryebashkiaku Toska zotëronte pasuri familjare me vlerë 36 milionë lekë në vitin 2015; kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private në ILDKPKI. Ai deklaronte pronësinë mbi një shtëpi private së bashku me prindërit në Cërrik, një apartament dhe truall në qytetin e Durrësit si dhe një apartament në Breshia të Italisë. Toska deklaronte gjithashtu kursime në bankë dhe në cash nga emigracioni si dhe një hua prej 900 mijë lekësh, dhënë babait të tij.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e kryebashkiakut të Cërrikut kap vlerën e 40.3 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 1.4 milionë lekësh. Ajo ndahet në 28.9 milionë lekë pasuri të patundshme, 6.8 milionë lekë likujditete bankare, 1.1 milionë lekë kursime në cash si një automjet me vlerë 947 mijë lekë. Ndërkohë, huaja e dhënë në favor të familjarëve është rritur në vlerën 2.4 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 4.9 milionë lekë. Të ardhurat nga funksioni të Z. Toska zënë rreth 60%, ndërkohë që zëri i dytë më i madh buron nga dhënia me qera e apartamentit në Itali me 35% të të ardhurave.  Ndërkohë, paga e bashkëshortes ka siguruar rreth 3% të të ardhurave familjare.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 3 vite të deklarimit, të cilat rezultojnë pa probleme.

BIRN identifikoi në këtë analizë se likujditetet e mbajtura jashtë sistemit bankar, në gjendje cash apo të dhëna hua kapin vlerën e 3.6 milionë lekëve.  Mbetet gjithashtu për t’u shënuar se shtimi në vlerë i pasurisë së patundshme nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017 i referohet rivlerësimit të apartamentit në Durrës të zotëruar nga familja Toska dhe jo blerjes së ndonjë pasurie të re.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës  

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al