Pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës kanë qenë për herë të fundit në Parlament në seancën plenare të 19 korrikut. Referuar procesverbaleve të Kuvendit, bëhet fjalë për 27 përfaqësues të popullit; si nga radhët e Partisë Demokratike, ashtu dhe të LSI-së; mes të cilëve edhe krerët e opozitës, Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi.

Më gjatë prej të gjithëve mungon nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka, i cili ka braktisur aktivitetin parlamentar që prej datës 5 korrik, ndërsa kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili figuron për herë të fundit në një mbledhje të Komisionit të Çështjeve Sociale, më 16 korrik. Të gjithë këta deputetë rrezikojnë të humbasin mandatin nëse nuk kthehen në Parlament brenda dhjetorit, pasi seanca e parë e 2019-s nuk mund të mbahet me Kushtetutë më shpejt sesa e hëna e tretë e janarit, pra më 21 janar. Dhjetë deputetë të tjerë rezultojnë të kenë qenë për herë të fundit në Parlament më 23 korrik, pra ende në kohë për të shpëtuar mandatin në seancën e parë të 21 janarit.

Lefter Koka dhe Vangjel Tavo u kthyen në shtator, enkas për të rinovuar mandatin që rrezikonte t’u skadonte, ndërsa 19 të tjerë mes PD dhe LSI, pavarësisht bojkotit parlamentar kanë marrë pjesë gjatë vjeshtës në mbledhje të ndryshme Byroje, të Këshillit të Legjislacionit apo komisioneve parlamentare, duke shpëtuar kështu mandatin parlamentar.

Rregullorja e Kuvendit nënvizon se deputeti humbet mandatin nëse mungon pa arsye për 6 muaj. Në përllogaritjen e këtyre kadencave, administrata i referohet një precedenti të ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila gjatë bojkotit të socialistëve vendosi të numëronte edhe pushimin parlamentar të dhjetorit atëherë, gjë që duket se vlen për gushtin në rastin e demokratëve këtë vit. Brenda dhjetorit, Parlamenti pritet të zhvillojë një seancë ku do të vendoset për nismën kushtetuese të opozitës për “vettingun në politikë”. Kjo do t’iu lejojë PD-së dhe LSI-së që të kthehet për të votuar nismën e tyre, duke rinovuar me 6 muaj mandatet dhe pagat, pa hequr dorë nga ajo që e quajnë “marrëdhënie e kushtëzuar me Parlamentin”, ndërsa ndërkombëtarët e përkufizojnë bojkot “de facto”.TCH/

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here