Serbia po fillon tani një luftë serioze politike për të cilën Vuçiq është përgatitur mirë. Përgjigja e tij përfundimtare është dhuna. Akuzat e tij kundër të tjerëve (dhuna, fashizmi, primitivizmi etj.) janë thjesht projeksion i planeve dhe qëllimeve të tij dhe gjendjes së tij mendore. Dhe ai do të përdorë BE-në dhe Kosovën vetëm për të betonuar kontrollin e tij në pushtet. Ai po blen kohë duke mashtruar opinionin. Një analizë nga V.I.P. News, buletin lajmesh e analizash nga Beogradi, i cili është burim i rëndësishëm i informatave sidomos për diplomatët perëndimorë.

U deshën dhjetë ditë që nga Samiti i Berlinit, ku kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron takuan krerët e dy shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia, që popullata në Serbi të fillojë të kuptojë se cila ishte tema e diskutimit në atë samit dhe se çfarë kahu do të merrte çështja kryesore brenda dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Mediat proqeveritare kanë krijuar konfuzion duke publikuar raporte të pavërteta dhe mashtruese për të krijuar një përshtypje që Berlini ishte një sukses madhështor i presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe një disfatë totale e përfaqësuesve të Kosovës.

Tani, megjithatë, është bërë e qartë që samiti pak a shumë i dha fund tregimeve për ndarjen e Kosovës dhe ndonjë shkëmbimi të territoreve, dhe se pranimi i vendeve të Ballkanit në BE do të zgjasë më tepër se që këto vende kishin pritur, dhe kjo është një e vërtetë veçanërisht e rëndësishme për pritshmërinë e Serbisë që të anëtarësohet në BE në vitin 2025. Procesi i dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është rivendosur praktikisht mbi Marrëveshjen e Brukselit, e cila gjatë ndërmjetësimit nga Federica Mogherini, doli nga binarët për arsye të cilat i di vetëm ajo. Duke marrë një drejtim tjetër dhe duke ia lejuar Vuçiqit dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të shtyjnë kohën për së paku edhe një vit tjetër në detyrë përmes mashtrimit.

Vuçiq ishte i shqetësuar kur u nis për në kryeqytetin gjerman. Ai kujtoi fatin e presidentit të dikurshëm serb Boris Tadiq, i cili humbi shumë shpejtë fuqinë e tij politike pas një takimi që kishte pasur me Angela Merkelin në Beograd, dhe pasi kishte pranuar se nuk është në gjendje të zgjidh problemin me Kosovën.

Vuçiq në Berlin përdori taktikën e tij të njohur duke iu shmangur të gjitha situatave të pakëndshme, dhe duke pranuar të gjitha sugjerimet e lojtarëve të mëdhenj. Më vonë ai do ta portretizojë këtë si mirënjohje, njohuri të lartë të diplomacisë dhe kulturë. Ai madje u ndie i lehtësuar kur mësoi se askush nuk po i caktonte afate për vendime të shpejta për zgjidhjen e problemeve dhe se askush nuk do ta rrëzonte shumë shpejtë nga pushteti, se ai ka ende ka kohë dhe hapësirë për të komplikuar edhe më tutje situatën, për të konsoliduar autoritetin dhe që t’i mundësojë familjes dhe miqve të tij të pasuroheshin edhe më tej. Në fund të fundit, ky është qëllimi përfundimtar i kësaj rregulle.

Blerja e kohës shtesë përmes tregimit për planin amerikan- Vuçiq i mbajti gishtërinjtë e kryqëzuar prapa shpinës së tij, duke përsëritur garancinë e tij se do të jetë bashkëpunues. Menjëherë pas samitit ai deklaroi se Kosova do të bëhet e pavarur në tërësinë e territorit të saj dhe akuzoi për këtë popullatën serbe, e cila, sipas tij, dështoi ta pranojë «planin e tij të kompromisit», i cili asnjëherë nuk ishte bërë publik ngase nuk kishte ekzistuar në rend të parë, përveçse si mjet për zgjatjen e pushtetit të tij.

Në të njëjtën deklaratë, ai la të kuptohet se nuk do të nënshkruajë asnjë zgjidhje të tillë, edhe pse kjo është diçka që Kosova mund të fitojë, por vetëm pasi ai nuk është më në pushtet. Në të njëjtën kohë, përmes mediave dhe informatorëve të tij, ai lëshoi informacionin se SHBA ka një lloj plani të pranueshëm në tryezë, i cili duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe se edhe udhëheqësi i opozitës së Malit të Zi, Nebojsha Medojeviq, deklaroi se ai plan do të zbulohej në Washington më 12 qershor të këtij viti.

Kjo më së paku mund të ndodh, por është mjaftueshëm që të krijojë konfuzion shtesë. Vuçiq takoi të mërkurën zëvendëskryeministrin italian Matteo Salvinin për të gjetur mirëkuptim dhe mbështetje për idetë e tij për të vazhduar dialogun për Kosovën. Menjëherë pas kësaj, ai udhëtoi për në Samitin e Bërdo-Brioneve (Brdo-Brijuni) për të penguar më tej atë që ai kishte pranuar në Berlin. Atje ai u takua me kryediplomaten e BE-së, Federica Mogherini. Sa i përket Mogherinit, është e paqartë se çfarë roli do të luajë ajo derisa është duke ushtruar mandatin teknik dhe në pritje të zëvendësimit të saj. E vetmja gjë që ajo mund të bëjë është që të krijojë edhe më tepër dëm dhe konfuzion.

Ndërkohë, shërbimet sekrete serbe nisën një fushatë në Francë dhe Itali nëpërmjet kontakteve të tyre në diasporë, për të mbledhur nënshkrime nga këto dy vende me kërkesën për të tërhequr njohjen e Kosovës. Kjo me gjasë nuk do të ndodh, por edhe kjo krijon konfuzion shtesë dhe shpresa joreale në mesin e shumë njerëzve në Serbi, duke i lënë me përshtypje për rëndësinë e Vuçiqit dhe Serbisë në skenën ndërkombëtare politike. Për këtë arsye Vuçiq vazhdon të bëjë atë që ka bërë ndër vite: të manipulojë edhe popullatën serbe edhe komunitetin ndërkombëtar. Çështja është, pse po e toleron komuniteti ndërkombëtar? Pas kaq shumë gënjeshtrave dhe veprimeve mashtruese dhe pa asnjë reagim serioz nga jashtë, nuk është çudi që ai vazhdon të luajë lojërat e njëjta.

Duke u fuqizuar, atmosfera e frikës dhe kërcënimet për dhunë- Duke blerë kohë në arenën ndërkombëtare, ai në të njëjtën kohë po fuqizohet në Serbi. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij tashmë kanë arritur të shkatërrojnë institucionet kyçe në vend, duke përfshirë parlamentin serb, qeverinë, gjyqësinë dhe policinë, si dhe duke marrë kontrollin e plotë mbi mediat. Tani ka filluar të ndjellë një atmosferë të frikës në vend. Disa ditë më parë, ai dhe bashkëpunëtorët e tij terrorizuan një pronar të një furre buke me nacionalitet shqiptar, në periferi të Borçës në Beograd duke kërkuar mbylljen e lokalit të tij. Këtë javë tre nacionalistë të dehur keqtrajtuan banorët në një lagje të Novi Sadit, duke hyrë në shtëpitë e tyre, duke i rrahur, duke i kërcënuar me dëbim dhe duke i quajtur shqiptarë. Të gjitha këto para syve të fëmijëve të tyre dhe në oborret e tyre. E gjithë kjo të kujton skuadrat e Hitlerit që kishin shtruar rrugën për nazizëm. Ky sundim terrori i kryer nga autoritetet serbe është një nga fazat e fundit para krijimit të një diktature fashiste në Serbi. Frika nga dhuna fizike është vija e fundit e mbrojtjes së pushtetit të Vuçiqit, i cili tashmë ka filluar përgatitjet. Njerëzit e frikësuar dhe të varfër të Serbisë nuk mund të përbëjnë ndonjë problem serioz për të.

Opozita udhëheq protestat, por pa një plan të qartë- Opozita serbe, e cila ka marrë përsipër udhëheqjen e protestës, ende nuk ka një plan të qartë. Është e frikshme. Asnjë nga partitë anëtare të Aleancës për Ndryshim (SzS) nuk po dalin me një pikëpamje të qartë politike dhe program për të siguruar një të ardhme më të mirë për Serbinë, as nuk flasin për reformat në vend, për lidhjen e saj me BE dhe për zgjidhjen për problemit të Kosovës.

Vetëm njëri nga udhëheqësit e SzS-së, Vuk Jeremiq, po vazhdon të ndjekë kursin e tij me deklaratat se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të shërbejë si bazë për një zgjidhje dhe për një veto ruse në OKB si përparësi të madhe serbe ndaj Kosovës. Kjo nuk është një lloj qasjeje që do ta ndihmonte atë të merrte mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, ndihmën e të cilëve kërkon. Opozita duket se ende pret që Vuçiq të përfundojë «punët e pista», dhe pastaj ta largojë atë si tradhtar.

Vuçiq e di këtë dhe ai nuk do të nënshkruajë asgjë. Dhe kështu, edhe pas Berlinit, gjithçka ka mbetur njësoj. Për Vuçiqin, kjo në të vërtetë është një lehtësim dhe fitore. Serbia po fillon tani një luftë serioze politike për të cilën Vuçiq tashmë është përgatitur mirë. Përgjigja e tij përfundimtare është dhuna. Akuzat e tij kundër të tjerëve (dhuna, fashizmi, primitivizmi etj.) janë thjesht projeksion i planeve dhe qëllimeve të tij dhe gjendjes së tij mendore. Dhe ai do të përdorë BE-në dhe Kosovën vetëm për të betonuar kontrollin e tij në pushtet.