Në një intervistë me Radio-Televizionin Shqiptar, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha sot se mbetet shumë pak kohë për realizimin e reformës zgjedhore dhe se do të ishte sinjal shumë negativ për miqtë dhe partnerët e Shqipërisë nëse dakordësia, që ka ekzistuar deri kohët e fundit mes palëve, të mos konkretizohej në legjislacion. Ai nxiti arritjen e konsensusit për reformën zgjedhore. Borchardt tha se, sipas praktikës më të mirë ndërkombëtare, reforma zgjedhore duhet realizuar një vit përpara zgjedhjeve të radhës, ose, të paktën, gjashtë muaj përpara.

Intervistoi: Entela Komnino

RTSH: Ministri i Jashtëm shqiptar ka deklaruar dje se, ndërsa është duke u punuar për reformën zgjedhore, koha është shumë e ngushtuar dhe jemi në limitet e kohës që parashikon Kushtetuta aktuale e Shqipërisë. Si e shikon OSBE-ja këtë proces, pasi dihet që po qëndron shumë pranë komisionit parlamentar që po merret me këtë proces.

Borchardt: Më vjen shumë mirë që ministri Bushati e deklaroi këtë gjë. Koha po ecën dhe, vërtet, po mbetet shumë pak kohë. Masat për reformën zgjedhore, të duhet të ishin marrë prej kohësh, ende nuk janë përkthyer në ligj dhe kjo gjë duhet të ndodhë. E them këtë, pasi, sipas praktikës më të mirë ndërkombëtare, reforma zgjedhore duhet realizuar një vit përpara zgjedhjeve të radhës, ose e shumta, gjashtë muaj përpara. Ka arsye të forta për këtë: ligji duhet të bëhet i zbatueshëm përmes akteve nënligjore dhe përmes udhëzimeve administrative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisionerët zgjedhorë duhet të trajnohen, në mënyrë që të dinë se çfarë do të zbatojnë. Më pas, sigurisht, zgjedhësit duhet të informohen. E gjithë kjo kërkon kohë. Duhen bërë përgatitje. Ne do t’i mbështesim edhe këto përgatitje, por për këtë duhet kohë dhe koha po ikën. Një aspekt tjetër është se, natyrisht, debati publik i momentit ka krijuar shqetësim rreth punës së ardhshme të komisionit për reformën zgjedhore. Kushtetuta e Shqipërisë kërkon shumicë të cilësuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ne jemi të shqetësuar për rrezikun që mund të vijë nga pengesat apo nga ngadalësimi i progresit të reformës. Një gjë e tillë do ta kufizonte qëllimin e reformës. Pa një shumicë të cilësuar, mund të bëhen vetëm ndryshime nënligjore, të cilat mund t’i bëjë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por ne nuk e kishim fjalën për këtë kur nxitëm dhe rekomanduam me forcë një reformë zgjedhore. Gjatë punës së komisionit të posaçëm, ka pasur dakordësi në shumë pika, sikurse e kanë thënë edhe vetë dy bashkëkryetarët. Ky ishte një sinjal shumë pozitiv dhe do të jetë një sinjal shumë negativ për miqtë dhe partnerët e Shqipërisë nëse kjo dakordësi nuk do të konkretizohet tani në legjislacion

Ka pasur disa rekomandime nga OSBE/ODIHR-i, pas një sërë zgjedhjesh në Shqipëri, të cilat vazhdimisht rishikohen dhe pasqyrohen në Kodin Zgjedhor. Aktualisht, po flitet shumë për rekomandimin kryesor, i cili ka të bëjë me depolitizimin e administratës që organizon dhe mban zgjedhjet në Shqipëri. Si e shikoni ju këtë proces? E shikoni të mundur, ndërkohë që ka qenë një proces që nuk ka mundur të realizohet as për më shumë se 20 vjet?

Depolitizimi i strukturave zgjedhore është, padyshim, një nga rekomandimet më të rëndësishme, por jo i vetmi. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, OSBE-ja ka bashkërenduar dhe mobilizuar shumë mbështetje për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kemi organizuar 8 tryeza teknike të mëdha, ku janë diskutuar të gjitha aspektet, përfshirë dëshirat e partive për teknologjitë e reja të votimit dhe për votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, por kryesisht është diskutuar për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Më lejoni t’ju jap disa shembuj se çfarë është diskutuar dhe cilat ishin rekomandimet… vetëm disa prej tyre

Përpjekje të fuqishme për të adresuar problemin e vazhdueshëm të shitblerjes së votës, qoftë me fushata ndërgjegjësimi qytetar, ashtu edhe me më shumë ndjekje penale. Numri i ulët i personave që janë dërguar deri tani në gjykatë për krime që lidhen me zgjedhjet, nuk sjell një efekt të vërtetë parandalues. Gjithashtu, edhe partitë duhet të marrin angazhime më të forta në këtë drejtim.

Po ashtu, ka rekomandime për më shumë transparencë në financimin dhe shpenzimet e fushatës, çka do të hidhte dritë edhe mbi shpenzimet për aktivitete të ndryshme zgjedhore.

Një tjetër çështje është shpërdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës. Ne kemi rekomanduar që të ngrihet një organ i pavarur për ta monitoruar këtë gjë.

Një tjetër rekomandim i OSBE/ODIHR-it, i cili përsëritet prej vitesh, është se Shqipëria duhet të shfuqizojë dispozitat penale për shpifjen dhe t’i zëvendësojë këto me masa civile për vënien në vend të reputacionit të cenuar. Ne ofrojmë me kënaqësi ndihmën tonë të mëtejshme në këtë fushë, si edhe ndihmën e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.

Një pikë tjetër e rëndësishme, siç e përmendët edhe ju, është emërimi jopartiak i komisionerëve zgjedhorë dhe i anëtarëve të grupeve të numërimit.

Por ka edhe rekomandime të tjera.

Gjatë zgjedhjeve të fundit vendore, një hap i madh përpara ishte fakti se 50% e kandidatëve ishin femra. Kjo mund të përmirësohet më tej duke iu garantuar kandidateve femra pozicione të mira në listë, si sistemi zig-zag, një burrë – një grua, ose diçka e ngjashme.

Gjithashtu, kemi ofruar mbështetje për harmonizimin e ligjit të dekriminalizimit dhe Kodit Zgjedhor, për të përmirësuar përputhshmërinë ndërmjet tyre.

Prezenca e OSBE-së ka ndjekur me vëmendje diskutimet në këto tryeza teknike. Kemi parë shumë dakordësi dhe dua të përfitoj nga rasti që të nxis arritjen e konsensusit për reformën zgjedhore.

Jemi në një moment që zgjedhjet në Shqipëri janë të vëzhguara dhe të futura vazhdimisht si kushte për hapat në proceset e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dhe ky është një proces që ka zgjatur për më shumë se 10 vjet. Vazhdimisht vihen kushte, vazhdimisht ndryshohet Kodi Zgjedhor. Ndërkohë që fare qartë parlamenti gjerman dhe parlamenti holandez e kanë futur në kushtet e tyre jo vetëm reformën zgjedhore, por edhe zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme me këtë reformë të pranueshme dhe të pakundërshtueshme nga palët. Cili është qëndrimi i OSBE-së përkundrejt vendimeve të cilat kanë peshë edhe në vendimet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?

Kjo pyetje duhet t’u drejtohet parlamenteve që përmendët, ose ambasadave të këtyre vendeve. Këto parlamente pastaj duhet të vendosin për pasojat në rast se një palë pengon reformën që ata kërkojnë prej Shqipërisë. Më lejoni ta theksoj shumë qartë se Prezenca e OSBE-së nuk është e përfshirë në diskutimet për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Kjo çështje i takon BE-së. OSBE-ja ka anëtarësi shumë më të gjerë se sa BE-ja. Ne kemi mbi 50 shtete në gjirin tonë dhe vetëm afërsisht gjysma e tyre janë anëtare të BE-së. Pra, kjo çështje nuk është pjesë e mandatit tonë në Shqipëri. Thënë kjo, gjatë 20 viteve të fundit, Prezenca ka mbështetur të gjitha qeveritë shqiptare në hartimin, miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të reformave, përfshirë reformën zgjedhore, gjë që sjell reformimin e institucioneve, forcimin e demokracisë dhe promovimin e shtetit të së drejtës. Duke bërë këtë, ne, sigurisht, edhe kemi ndihmuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe integrimin e Shqipërisë.