Ambasada e Shqipërisë në Ankara organizoi dje një pritje me rastin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë. Në pritjen e organizuar me rastin e “Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë” në Sheraton Hotel, nga ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Genti Gazheli, morën pjesë ministri turk i Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli, Shefi i Shtabit Gjeneral Yaşar Güler, përfaqësues të misioneve dhe të ftuar të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA). Ambasadori Gazheli, në fjalën e tij, vuri në dukje se vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë janë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Turqisë dhe Shqipërisë.

“Turqia, ka qenë gjithmonë një mbrojtës global i çështjes shqiptare. Por, krahas marrëdhënieve të shkëlqyera politike, ne kemi për qëllim edhe rritjen e marrëdhënieve ekonomike”, tha ai. Ndërsa, ministri Pakdemirli nënvizoi lidhjet e forta të miqësisë të bazuara në historinë e përbashkët mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe theksoi se edhe lidhjet njerëzore janë elementi më aktual që lidh dy vendet me njëra tjetrën. Në Turqi janë me miliona qytetarët me origjinë shqiptare, tha Pakdemirli, duke shtuar se “shoqëria turke në Shqipëri dhe qytetarët me origjinë shqiptare në Turqi kanë funksionin e urës humanitare mes dy vendeve”.

“Mes dy vendeve është forcuar edhe bashkëpunimi kulturor, ekonomik dhe politik”, tha Pakdemirli, duke shtuar se Turqia me projekte të ndryshme nëpërmjet institucioneve si TIKA dhe Qendrës Kulturore Yunus Emre ofron mbështetje për mbrojtjen dhe restaurimin e veprave historike të cilat vërtetojnë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë./