Kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, BDI’së, Ali Ahmeti ka ftuar shqiptarët të votojnë kandidatin maqedonas, Stevo Pendarovski, kandidat konsensual mes partisë shqiptare dhe asaj maqedonase, LSDM’së.

Ahmeti në tubimin para qytetarëve të Ohrit tha se në zgjedhjet e fundit lokale për herë të parë u bashkuan dhe u përkrahën kandidatët e të dyja partive.

“Bashkimi Demokratik për Integrim në qytetin e Shkupit, Kumanovë dhe Ohër dha mbështetje për kandidatët e partnerit qeveritar ndërkaq ne mbështetje morëm në qytetet ku garonin kandidatët tonë siç ishte në Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Çair. Njëherit organizuam bashkërisht referendumin një moment i rëndësishëm sepse vendosej se a do ecej para apo do të kthehemi pas. Pavarësisht interpretimeve se gjoja nuk do të ishte i suksesshëm ky referendum, pse pala tjetër atëherë nuk doli ta provoj vetën andaj dhe nuk mund të quhet i pasuksesshëm ky referendum kur votuan mbi 650.000 mijë votues”, tha Ahmeti

Kryetari i BDI-së, Ahmeti tha se para edhe para 5 viteve është dashur që të arrihet një gjuhë e përbashkët për një kandidat konsensual për përfaqësues shteti.

“Ma mirë vonë se sa asnjëherë, pasi ja më në fund u arrit me debate me konsulta dhe me këtë ne po instalojmë vlera me kandidat të përbashkët me z. Stevo Pendarovski, si kryetar dhe përfaqësues i të gjithë neve. Me 21 prill nuk votohet vetëm për z.Stevo Pendarovski, votohet për ardhmërinë Evropiane të vendit, votohet për anëtarësim të plot të vendit tonë në NATO, për shkak se pala tjetër heziton, nguron dhe nuk ka gatishmëri që të përmbush detyrimit që dalin nga kërkesat dhe marrëveshjet përgjegjësi ndërkombëtare, gjithmonë ikin dhe nuk japin përgjigje të plotë, se a do të respektojnë Marrëveshjen e Prespës që do të thotë se mos respektosh këtë marrëveshje do të thotë kthim pas dhe çdo tërheqje nga kjo marrëveshje është vetëvrasje për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha kryetari i BDI’së.