Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është takuar me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova në Rashkë.

Sipas mediave serbe, pas takimit, Vuçiç ka thënë se shqiptarët duan që të përfshijnë sa më shumë serbë nga Kosova në ushtri të Kosovës.

Ai gjithashtu u tha gazetarëve se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për herë të parë i janë ankuar se nuk ka mallra serbe në raftet në Shtërpcë, Graçanicë dhe në pjesët tjera të Kosovës, për shkak të futjes së tarifave 100 për qind për prodhimet nga Serbia.

“Kërkova që të gjithë serbët mos të shkojnë në ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Vuçiq.

Po sipas mediave serbe, në takim kanë qenë të pranishëm edhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetari Igor Simiq.

Veç këtyre, në takim ka qenë edhe Milan Radoiçiq, edhe nënkryetari i Listës Serbe për të cilin gjykata në Prishtinë ka lëshuar një urdhër arresti mbi dyshimin për përfshirjen e tij në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.