Aleatët e Partisë Demokratike paralajmërojnë trazira në zgjedhjet vendore, nëse nuk plotësohet kushti i vënë nga opozita, për zgjedhje të lira dhe qeveri tranzitore.

“Një pjesë e madhe e popullit shqiptar është përkrahëse e opozitës, kështu që nëse ajo nuk merr pjesë në zgjedhje, do të thotë që nuk shprehet vullneti i tyre.

Mund të ketë edhe trazira dhe konflikte që mund të vijnë duke u agravuar me afrimin e datës së zgjedhjeve dhe akoma më shumë ditën e zgjedhjeve”, thotë për A2 CNN, Agron Duka, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste.

Javën e ardhshme pritet që lideri i opozitës Lulzim Basha të nisë negociatat me partitë aleate për të dakordësuar marrëveshjen.

Kushti kryesor që aleatët kanë ndaj Bashës është ndryshimi i sistemit zgjedhor.

“Ndryshim të kodit zgjedhor, sepse po themi që të ndryshojmë sistemin politik, që ndryshon nga zgjedhjet. Dhe zgjedhjet varen nga sistemi zgjedhor”, thotë po për A2 CNN, Dashamir Shehi, kryetar i Lëvizjes për Zhvillimin Kombëtar.

“Ne kërkojmë një sistem tjetër zgjedhor, ku të ketë elementë “maxhoritar”, mund të jetë maxhoritar i pastër apo proporcional, ose mund të jetë proporcional, me korrektim kombëtar, por me lista të hapura”, shton zoti Duka.

Por, krahas ndryshimit të sistemit, platforma pritet të fokusohet edhe te drejtësia dhe institucionet e pavarura.

“Të mos përfundojë me një marrëveshje oportunizmi si ajo e 17 majit. Që do të thotë të ndryshojmë institucionet, t’i balancojmë, të zgjedhim një president nga papopulli, që të ketë peshë brenda institucioneve, t’i kontrollojë ato, të mbyllet çështja e Gjykatës Kushtetuese, të përfundojë reforma në drejtësi, por duke e ridrejtuar, duke e riformuar, jo të hyjë nën sqetullat e Partisë Socialiste.

Të vendosim një mandat të kufizuar për pushtetet në Shqipëri”, u shpreh Dashamir Shehi.

Një ditë më parë, PD vendosi të kushtëzojë hyrjen në zgjedhje, me garantimin e një procesi të lirë dhe largimin e Edi Ramës nga detyra.