Aleatët e Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Fatmir Mediu dhe Vangjel Dule kanë deklaruar se opozita do të bllokojë zgjedhjet në të gjitha mënyrat. Në një takim në Fier, ‘Forumi për zgjedhje të lira’, i organizuar nga ‘Grupimi i Qendrës së Djathtë’ kanë zhvilluar një bashkëbisedim mbi situatën në vend me strukturat dhe simpatizantët e partive që drejtojnë, ku janë shprehur të bindur se zgjedhjet e 30 qershorit nuk do të zhvillohen.

‘Zgjedhjet pa opozitën përbëjnë një rrezik të madh për stabilitetin e vendit si dhe cenojnë pluralizmin politik. Opozita, në të gjitha mënyrat, nuk do të lejojë që në 30 qershor të zhvillohen zgjedhje farsë. Zgjedhje të lira dhe të ndershme mund të organizohen dhe garantohen vetëm nga një qeveri Tranzitore, e përberë nga njerëz me integritet dhe autoritet, të cilët e duan vendin e tyre”, është qëndrimi i aleatëve.

Duke komentuar dy protestat e fundit kombëtare, të zhvilluara nga opozita e bashkuar, ata i kanë bërë apel qytetarëve për vijimin e qëndresës ndaj mazhorancës ilegjitime.