Ndonëse jo në gjendje të mirë, shtatorja e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, qëndron në qendër të Prishtinës, si shenjë falënderimi për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Kryeqytetit do t’i shtohet edhe busti i bashkëpunëtores së Clintonit, ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, cila po ashtu, ka ndihmuar kosovarët ta fitojnë lirinë.

Busti do të vendoset në sheshin që mban emrin e saj, pranë monumentit “New Born”. Aty tashmë është vendosur bazamenti i bustit. Presidenca e Kosovës ka nënshkruar kontratë prej 19 mijë e 788 eurosh me kompaninë “Artiko”, për realizimin e këtij busti.

Por, Presidenca megjithatë nuk mundi të konfirmonte nëse Albright do të jetë në Prishtinë më 12 qershor. Florent Rrahmani, anëtar i ekipit për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit, shtoi se Presidenca ende nuk ka marrë konfirmim për këtë, edhe pse ftesa u janë dërguar disa personaliteteve ndërkombëtare.