Nga Alfred Peza

Imzot!

Më lejoni që për herë të parë në jetën time, tju drejtohem me anë të një letre me shkrim dhe jo si deri më sot. Unë kurrë nuk kam ngurruar që tua them të gjitha çfarë kam menduar, në kohën dhe vendin e duhur, përballë dhe sy për sy! Edhe kur ju kanë pëlqyer, edhe kur nuk ju kanë pëlqyer, jam munduar që të qëndroj gjithmonë në lartësinë e detyrës. Ju skeni patur shpesh kohë për të këshilluar, këshilltarët Tuaj. Por besoj se kjo ndodh me shumë Mbretër. Një Këshilltar, sado i mençur e me përvojë, sado i ditur dhe i kthjellët, nuk arrin dot që ti shohi të gjitha gurët e mozaikut sipas një figure të plotë, e cila ndodhen vetëm në kokën Tuaj.

Ditën që më the frazën e “Game of Thrones” se: “Ti je më shumë nga sa të gjithë ata mund të jenë. Ata janë thjeshtë ushtarë në “Luftën e Madhe”. Kurse ti… Ti do ngresh e rrëzosh “Mbretër”,- për herë të parë në jetën time, u ndjeva krenare. Atëherë besova se përse shumë më përpara kësaj, më kishe thënë kalimthi se “ti nuk do të ecësh më kurrë. Por do fluturosh”. Mësova shpejt se “asgjë e jashtëzakonshme, nuk mund të arrihet në mënyrën të zakonshme”. Aty kuptova se në këtë jëtë “ka vetëm një luftë dhe se ajo është lufta kundër vdekjes”.

Më ndjeni që do të jem shumë e drejtpërdrejtë me Ju sot. Ndaj nuk po e shkruaj këtë letër, si një tekë inverse, me 7 letrat e “Kurormbajtësit”. Përkundrazi! Më duhet tju them që në fillim Imzot, se bashkë me “4 Mbretërit” e tjerë sfidues, e keni të humbur që tani “Luftën e Madhe” me Edi Ramën për “Fronin e Shpatave”. Ka të paktën tri arësye kryesore për këtë:

Së pari, më shumë sesa një luftë për ta detyruar atë që të largohet nëpërmjet “Revolucionit popullor”, “Luftës civile” apo “Mosbindjes Civile” gjithkush e ka kuptuar se prapa tyre, fshihet frika jonë e madhe se dikush tjetër do të na i zerë sheshet. Protesta e studentëve të fillim dhjetorit 2018, e tregoi këtë. Pranoje se ne u frikësuam për vdekje, se mos kishte ardhur momenti që pas 30 vjetësh, që ashtu si studentët e dhjetorit 1990 rrëzuan “Mbretërinë” e vjetër ideologjike, kjo e kësaj radhe do rrëzonte elitën tone politike të postkomunizmit. Ndaj vrapuam që ta shkatërronim, ta merrnim peng e më pas të hiqeshim sikur protesta ishte jona. Por, as kjo dhe as rrëmbimi i protestave të tjera popullore në Tiranë e kudo në Shqipëri, nuk e fsheh dot se ka ardhur ora, që dikush tjetër ta zerë vendin e “5 Mbretërve” sfidues, në sheshet e Shqipërisë.

Së dyti, gabimi ynë i madh strategjik në përpjekjet për ta detyruar që të na e dorëzojë pa luftë “Fronin e Shpatave”, është se ne po përpiqemi që ta shesim “një grusht oborri”, si “Luftën e Madhe” kundër Edi Ramës. E vërteta është se ne nuk kemi asnjë program, asnjë projekt, asnjë alternative, asnjë plan, asnjë platformë, që ti bëjmë njerëzit të shohin ëndrrën e madhe të ndryshimit. E brenda saj, ata të zbulojnë edhe ëndërrën e tyre personale.

Politika është arti i shitjes së ëndrrave dhe jo i vjedhjes së tyre, Imzot. Ne duhet të shkojmë për tia shpjeguar projektin tone gjithësecilit në çdo shtëpi, rrugicë, lagje, fshat dhe qytet të Mbretërisë. Vetëm kështu ne do të krijojmë frymën e madhe të ndryshimit, që do të mari përpara Edi Ramën. Asnjë “Mbret” nuk ka ikur nga intrigat, gënjeshtrat, gjysëm të vërtetat, shpifjet dhe urrejtja e një elite të përmbysyr, brenda një perimetri prej 1 Kilometri nga Kështjella e Tij. Nëse e gjithë Mbretëria nuk e do ndryshimin, ajo kurrë nuk ka për të ardhur. Sepse “nuk kam dëgjuar ndonjëherë për vizione dhe profeci, që të fitojnë luftrat, Imzot. Luftrat i fitojnë ushtarët”.

E treta, ashtu si në sagën epike, “unë e di që një Mbret i mbron njerëzit e tij. Ndryshe ai nuk është Mbret.” Në këtë kuptim, më shumë se për Ju, kjo letër është për Lulzim Bashën, Imzot. “Mbreti” i ri përveç të tjerash, duhet të kuptojë se koha është ose aleati ose armiku më i madh i të gjithë luftrave. Ai nuk mund ti djegi etapat dhe as rregullat e këtij sistemi. Të djegësh mandatet e të zgjedhurve të popullit, të ikësh nga Senati, të dalësh nga sistemi dhe të mos futesh drejtpërdrejtë në Luftën e Madhe të 30 Qershorit, të bëjnë një ikanak të madh. Por kurrë një fitues të madh. Aq më pak një Mbret triumfator. E sigurisht që jo një kurormbajtës lavdiplotë, të “Fronit të Shpatave”.

Nëse nuk mund tia thuash të gjitha këto, për arësye të kuptueshme të paktën prej meje, lutem Imzot që ta këshilloni: “Eshtë mirë të presësh për kohën e duhur, sesa të rrezikosh ti prishësh të gjitha!”

Kaq edhe për sonte…

Ju çoj të fala të gjithëve!