Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar dhe 65-vjetorit të këtij filmi

Nga Skifter Këlliçi, TemA

28 nëntor i vitit 1953… Me rastin ditës së Shpalljes së Pavarësisë, në Shqipëri shfaqet filmi “Skënderbeu”. Me një sukses së jashtëzakonshëm. Ashtu siç e meritonte. Madje, siç dëshmohet dhe nga të dhëna të reja në artikuj të botuar kohët e fundit në shtypin tonë, shfaqet së pari në qytetin Stalin, për specialistët sovjetikë të naftës dhe gazit dhe familjet e tyre, që punojnë atje. Për më tepër, në praninë e Akaki Horëvës – Skënderbe, ardhur posaçërisht për këtë qëllim në vendin tonë..

Veç të tjerash, në disa artikuj shkruhet edhe për aktorët shqiptarë, që krahas aktorëve sovjetikë luajnë në këtë film; për Besa Imamin, në rolin e Donikës, së shoqes së Skënderbeut, Adivie Sharofin, (Alibali), në rolin e motrës së Skënderbeut, për Naim Frashërin, në rolin e Palit dhe pastaj për aktorë të tjerë shqiptarë- Marie Logoreci, Loro Kovaçi, Kadri Roshi, Zef jubani, Lec Shllaku, Ndrekë, Shkjezi, Mihal Stefa, Aleko Skali, Sokrat Mio, në role episodike, të cilët i kam përmendur dhe në një shkrim tjetër, botuar ditë më parë në faqet e kësaj gazete. Natyrisht, shkruhet edhe për autorin e skenarit të filmit Mihail Papava, regjosorin Sergej Jutjeviç, kompozitorin Svidorov, të tre sovjetikë…Përmenden dhe aktorë të tjerë gjithashtu sovjetikë, në role kryesore. Por jo më shumë.

Sot, pas 65 vjetësh jete të këtij filmi, e vetmja dëshmitare e gjallë e “Skëderbeut’’ është aktorja Adivie Alibali, që me rastin e këtyre datave të rëndësishme , u nderua me një dekoratë nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Pas një kohe të kaq të gjatë të historisë këtij filmi ta paharruar, ndonëse prej gati 20 vjetësh në Amerikë, kureshtja më shtyu të lundroja nëpër internet dhe të qëmtoja për trupën sovjetike, që edhe me mbështetjen të aktorëve tanë të mësipërm dhe të ndihmës regjisorit shqiptar, Viktor Stratoberdha, atëherë ende student në regji filmi në Bashkimin Sovjetik, arriti të realizonte këtë film, edhe sot nga më të mëdhenjtë me temë historike, që ka realizuar, jo vetëm kinematografia sovjetike, por edhe botërore, dëshmi e së cilës është çmimi për regjinë më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Artistik në Kanë, (Francë), më 1954, që iu dha regjisorit Jutkjeviç.

Po e nis me skenaristin e filmit, Mihail Papava, (1906-1975). Më1931 mbaron studimet për histori-filologji në universitetin “Lomonosov” të Moskës dhe më 1938 Institutin Kinematografik “Gerasimov”, po në Moskë. Që atë vit nis punën si skenarist në Kinostudion “Mosfilm”. Është autor shumë skenarëve të filmave artistikë, ndër të cilët “Akademiku Pavllov”, (1949), ”Larg Moskës”, (1950), “Kashtanka”, (1952) dhe një vit më pas, autor i skenarit të filmit “Luftëtari i madh shqiptar- Skënderbeu”, ( titull në versionin sovjetik), që e bëri shumë të njohur në Bashkimin Sovjetik.

Në artikuj të kohëve të fundit, mbështetur në kujtimet e historianit të shquar Aleks Buda, nipi i tij, Marin Haxhimihali, vë në dukje se idenë për të realizuar një film për Skënderbeun e kishte dhënë Enver hoxha gjatë vizitës së tij të dytë në Bashkimin Sovjetik, më 1949, ku ishte takuar me Stalinin. Kjo ide u sendërtua në fillim të viteve 1950 dhe kështu, skenaristi Papava, i shoqëruar nga historian Buda, bëri dy herë udhëtime në vise të Shqipërisë, ku Skënderbeu me trimat e tij kishte luftuar kundër pushtuesve otomanë, duke përfshirë edhe Krujën. Dhe mbeti i mahnitur nga gjithçka, nga Kruja, kostumet popullore, natyra shqiptare …

Kur pas disa vërejtjesh nga historianët shqiptarë, skenari i Papvës mori formën përfundimtare, Sergej Jutkjeviçi, i ngarkuar për regjinë, në fillim të marsit mars të vitit 1953 nisi xhirimet e filmit, një pjesë e të cilave u bënë edhe në Shqipëri dhe pjesa tjetër në Krime dhe në studiot e “Mosfilmit”, në Moskë.

Jukjeviçi , (1904-1985), është nga regjisorët më të mëdhenj të teatrit dhe kinematografisë sovjetike, laureat i çmimit “Stalin”, (1941,1947) dhe I disa çmimeve të tjera të larta shtetërore më 1967 dhe 1983. Autor i 25 filmave artistikë, ndër të cilët “Minatorët, (1937), “Njeriu me pushkë”, (1938),”Jakov Zverdlov”, (1940), që e bëë shumë të njohur, atij I besohet regjia e filmit “Skënderbeu”. Dhe Jutkjeviçi e justifikon këtë besim, duke fituar, siç përmenda dhe më sipër, çmimin e madh për regjinë më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës, (1954).

Që është nga regjisorët më të mirë në botë, Jutkjeviçi e dëshmon përsëri në Festivalin e Kanës, kur dy vite më pas, më 1955, fiton sërishmi çmimin e madh për regji, me filmin “Otello”, bazuar në tragjedinë e dramaturgut të madh, Shekspir.

Deri vonë në emisionin “muzikë filmash” të Radio Tiranës, herë pas here transmetoheshin fragmente të filmit “Skënderbeu”, të kompozitorit të shquar sovjetik Georgij Sviridov, (1915-1998), diplomuar në vitet 1936-41 në Konservatorin e Lenigradit, laureat i çmimit “Stalin” i (1946), i çmimit “Lenin”, (1960) dhe çmimesh të tjera shtetërore, i njohur veçanërisht edhe në botë për ilustrimin muzikor të disa tregimeve të Pushkinit dhe suitës “Përpara, përpara”, dhe cilësuar nga kritika muzikore botërore si përfaqësues i madh i neoromantizmit.

Të krijojnë emocione të rralla pasazhet muzikore dramatike të betejave të luftëtareve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë, krimet e tyre barbare ndaj grave dhe fëmijëve të pambrojtur, të përshkruara me tinguj të fuqishëm tragjikë, por edhe motive lirike, sidomos në fund të filmit, kur në ekran shihet një luftëtar i verbër, që këndon një këngë prekëse, kompozuar nga Çesk Zadeja, melodia e së cilës pas takimit të tij me Skënderbeun, shpërthen edhe më shumë emocione nën tingujt e orkestrës sinfonike.

Sigurisht që mishërim i filmit “Skënderbeu”, aktori madh gjeorgjian, Akaki Horava, (1895-1972), në rolin e Skënderbeut , qe zgjedhje shumë e goditur e Jukjeviçit. Diplomuar në vitet 1923-24 në një shkollë të artit dramatik në Tbilisi, pasi luan role në teatro gjeorgjiane, drejton më pas punën pedagogjike në Institutin “Rustaveli” të Tbilisit, për t’u bërë pastaj në drejtor i tij .

Kulmin artistik si aktor e arrin në vitin 1942, në filmin “Georgi Sakadze”, hero madh kombëtar i Gjeorgjisë , ( 1526-1629), që u pëlqye shumë edhe nga Stalini. Në vitin 1949 këtë film , madje disa herë, e kam parë dhe unë së bashku me bashkëmoshatarë të mi të vegjël. Dhe, çuditërisht ai na krijoi atëherë përfytyrimin e Gjergj Kastriotit tonë, që e kishim njohur kryesisht nga portrete në pikturë ose skulpturë; pra, jo vetëm nga emri, por edhe nga pamja e jashtme.

Dhe ja, në fillim të vitit 1953, ndonëse në atë kohë drejtonte ende Teatrin “Rustaveli’, Horava thirret me ngut nga Jutkjeviçi dhe i besohet roli i Skënderbeut, të cilin e pranon me shumë dëshirë. Dhe arrin të krijojë virtuozisht një Gjergj Sakadze, por krejtësisht shqiptar.

Gjeorgjiane si Horava ishte dhe aktorja Veriko Anxhaparidze, (1897-1997). Pasi fillon studimet e larta për teatër në Moskë, më 1917, i përfundon ato më 1920 në Tbilisi. Luan shumë role në skenat teatrore , bëhet edhe regjisore e shumë dramave, një nga të cilat është dhe drama njohur “Don Karlos”, e dramaturgut të madh gjerman, Shiler. Më 1925 nis e luan me sukses edhe në filma. Dhe më 1942, ndodhet përkrah Horavës në filmin “Gjergj Sakadze” që përmendëm më sipër, në rolin e Rusidanit, gruas së Gjergjit, cilësuar si një nga rolet e rëndësishme të gruas në filmat sovjetikë.

Dhe ja, më 1953 ajo është përsëri përkrah Horavës, por këtë radhë në filmin “Skënderbeu”, në rolin e Dafinës. Dhe me një interpretim të shkëlqyer, si të ishte shqiptare.

Në filmin ”Skënderbeu” në role kryesore dhe episodike luajnë dhe aktorë të tjerë të njohur sovjetikë: Semjon Sokolovski, në rolin e Hamza Kastriotit, Oleg Zhakovi, në rolin e Tanush Topisë, Nikollaj Tomofejevi, në rolin e poetit italian, Vagram Papazjani, në rolin e sulltan Muratit të Dytë, Nodar Shushiku, në rolin e të birit të sulltanit, Georgij Çernovalenko, në rolin e Marashit…

Dhe ngjarjet që marrin jetë në interpretimin e aktorëve të mësipërm sovjetiko-shqiptarë, edhe në sfondin e natyrës së mahnitshme shqiptare, përjetësohen në film nga operatori i njohur Eugen Andrikanis.

Ndonëse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik u ndërprenë përfundimisht më 1961, “Skënderbeu” vazhdoi të shfaqej, në kinematë e vendit tonë. Por pas vitit 1967 e shfaq vetëm në kinematë e qyteteve të tjera. Arsyeja ishte se ndihmës- regjisori shqiptar, Viktor Stratoberdha, siç e kam përmendur dhe në një artikull të mëparshëm, i dënuar, së pari pas Konferencës së Tiranës më1956, të mos ushtronte më profesionin e regjisorit, u ridënua më 1964 të mos ishte as regjisor i Teatrit të Estradës së Beratit, ku jetonte, dhe pas PLenumit të 4-t të KQ të PPSh-së, krahas shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë, përfundoi pas hekurave të burgut dhe më pas u internua. Këtë fat tragjik pësoi edhe artistja Adivie Alibali që në film luante Mamicën, dhe së bashku me të edhe i shoqi, juristi dhe publicisti i njohur, pr. Jusuf Alibali.

Por arsyeja kryesore që filmi u ndalua, është se Enver Hoxha, me kalimin e viteve, zhduku nga qarkullimi, jo vetëm veprat letraro-artistike sovjetike, të krijuara pas vitit 1953, vit kur pas vdekjes së Stalinit Hrushovi erdhi në fuqi, por edhe vepra klasike, sidomos muzikore ruse, madje edhe popullore, veçanërisht në reprertorin e Radio Tiranës.

Por diktatori ynë harronte se kishte që ai vetë që qysh më 1949, siç përmenda më sipër, u kishte propozuar autoriteteve sovjetike të realizonin një film për Skënderbeun. Harronte atë më kryesoren, se vendimi për realizimin e këtij filmi të madh ishte marrë që më 1952, kur Stalini ishte ende gjallë, mbase edhe me pëlqimin e drejtpërdrejtë të tij. Harronte, gjithashtu, se xhirimet e filmit kishin nisur në mars të vitit 1953, kur diktatori rus do të pushonte së jetuari. Pra filmi ishte produkt i epokës staliniane, ku fryt në realizimin e tij, sado modest, kishin dhënë edhe krijues shqiptarë.

Kështu për motive të tilla sot krejtësisht absurde, “Skënderbeu” u ngjall sërishmi në ekranet tona televizive pas rrëzimit të diktaturës komunistë, më 1992.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here