Ajax ka fituar me rezultatin 4-1 ndaj Utrecht duke hedhur një hap të sigurt drejt titullit kampion në Holandë, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u zhvilluar. Ndërkohë PSV është mundur në fushën e AZ Alkmaar me rezultatin 1-0.

Skuadra e Erik Ten Hag e nisi keq duke e pësuar që në minutën e parë, por golat e Huntelaar dhe van de Beek përmbysën shifrat që në pjesën e parë. Në të dytën ishte Dusan Tadic që shënoi dy herë të tjera për të siguruar fitore. Me këtë fitore Ajax ngjitet e vetme në vendin e parë me 83 pikë, 3 më shumë se PSV dhe praktikisht është kampione në Eredivisie.

Kur mbetet edhe një ndeshje, PSV duhet të fitojë ndaj Heracles 13-0 javën e ardhshme dhe Ajax të mundet 1-0 nga Graafchap, pasi diferenca e golave aktualisht është 14. Ajax do mjaftohej edhe me një barazim ndeshjen e ardhshme për t’u shpallur kampion.