Drejtoresha e “Albcontrol”, Belinda Balluku, ka folur për herë të parë mbi kompaninë e parë ajrore shqiptare “Air Albania” në studion e ERTV, ku ka siguruar se kjo do të jetë kompania më jetëgjatë dhe më dinjitozja, sa i takon shërbimit ndaj udhëtarëve, për një arsye të thjeshtë: Për herë të parë në Shqipëri, shteti është aksioner në një kompani ajrore, çfarë do të garantojë që kompania të përfaqësojë interesat e qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë me të.

“Partneriteti me “Turkish Airlines” na siguron një sukses të garantuar sepse në aviacion, ka një kuadër të rëndësishëm që është ai ligjor që duhet respektuar. Aviacioni është një industri e jashtëzakonshme dhe dinamike, e kornizuar brenda një kornize ligjore, çfarë na garanton një sukses të madh duke qënë se jemi të angazhuar për të përmbushur çdo kërkesë rregullatore që një kompani ajrore e një niveli të lartë duhet të përmbushë. Shteti është garancia e madhe e kësaj linje ajrore. Askush më pare nuk ka qënë një kompani flag, apo një kompani flamuri. Pavarësisht se janë përdorur emra të ngjashëm, kjo nuk do të thotë se kanë qënë kompani ku shteti ka patur një kapital në të”, tha Balluku.

Balluku shtoi se “kjo është një kompani e ngritur në mënyrë të kostumizuar për çdo udhëtar, domethënë janë marrë parasysh nga kërkesat për destinacione, deri të çmimet për biletat”.

Gjithashtu drejtoresha e “Albcontroll” dha detaje mbi flotën e avionëve dhe destinacionet e ardhshme që ofron “Air Albania”:

“Flota e Avionëve përbëhet nga avionët Airbus, kryesisht do të operojmë me Airbus, sot është Airbus 319, presim Airbus 320 në fillim të Tetorit dhe më pas parashikohet për dy 330 të cilat me shpresë do të fluturojnë brenda vitit të ardhshëm në kontinentin tjetër. Pas një studimi tregu do fillojnë fluturimet kontinentale. Janë vendosur që destinacionet e para përveç Stambollit, janë ato të Italisë duke qënë se penetrimi në atë treg është më i madh dhe kërkesa është më e madhe. Një nga avionët e parë drejt Europës është ai që do aksesojë Romën, Milanon dhe Bolonjën. Njëkohësisht një nga destinacionet me kërkesën shumë të lartë është Londra”.

ERTV Intervista🎤: Drejtoresha e Përgjithshme e "Albcontrol", Belinda Balluku, mbi përmbushjen e zotimit për t'i dhënë qytetarëve kompaninë e parë ajrore shqiptare, "Air Albania", një vepër kuqezi që përfaqëson çdo shqiptar🇦🇱

Gepostet von Edi Rama am Montag, 17. September 2018