Tregu i punës në vitin 2018 ka shënuar përmirësime të rëndësishme, të reflektuara në rritjen e punësimit, uljen e papunësisë dhe rritjen e nivelit të pagave. Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, lidhur me treguesit pozitiv të këtij sektori shprehet se, “pas Bankës Botërore, që konfirmoi disa ditë më parë dinamikën pozitive të zhvillimeve në tregun e punës dhe pagave në Shqipëri, edhe raporti i sotëm i INSTAT, ka të dhëna të rëndësishme”.

Sipas tij, në vitin 2018 në Shqipëri janë 1.23 milionë të punësuar, ndërsa shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ka arritur nivelin 68.3%. Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 42.9 % dhe 37.4 % të të punësuarve gjithsej.

“Papunësia ka vijuar trendin rënës në nivelin 12.3 %, ose 1.4 pikë përqindje më pak krahasuar me vitin 2017. Ulja e papunësisë tek të rinjtë e moshës 15-24 vjeç, ka vazhduar edhe gjatë vitit të shkuar. Në vitin 2018 shkalla e papunësisë së të rinjve ka rënë me 3.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Ndërsa rritja e pagave është një tjetër e dhënë domethënëse për qytetarët dhe të punësuarit në Shqipëri. Së pari, përqindja e të punësuarve me pagë minimale është ulur në 26.6% në 2018 nga 29.6% që ishte një vit më parë. Së dyti, paga mesatare mujore bruto është rritur. Administrata publike, arsimi, shëndetësia, janë ndër sektorët kyç ku paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar”, citon Ahmetaj.

Banka Botërore në raportin më të fundit për Shqipërinë, nënvizon se rritja ekonomike ka nxitur krijimin e vendeve të punës në të gjithë sektorët dhe norma e papunësisë është ulur, ndërsa paga mesatare reale u rrit me 1.6 përqind në fund të vitit 2018.

“Sfida mbetet ende aty, tek çdo qytetar dhe familje shqiptare që ende është në kërkim të një pune dhe nuk e ka siguruar atë. Vazhdimi i reformave dhe konsolidimit fiskal, është parakusht thelbësor për përshpejtimin e rritjes ekonomike, që nxit krijimin e vendeve të reja të punës në ekonomi”- thekson kreu Ahmetaj.