Është rritur ndjeshëm interesi i vizitorëve të huaj që vijnë në Shqipëri për qëllime biznesi kryesisht në sektorin e ndërtimit, agroturizmit dhe të shërbimeve. Në muajin mars 2019, numri i individëve që ka hyrë në vendin tonë për qëllime biznesi u rrit me 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Instituti i Statistikave, publikoi të dhënat e fluksit të hyrjeve të turistëve të huaj në Shqipëri për muajin mars 2019, ku evidenton se, numri i turistëve huaj që kanë ardhur në vendin tonë gjatë kësaj periudhe u rrit në 7.842 persona, kundrejt të njëjtës periudhë vitin e kaluar që ishte 6.477 persona.

Ekonomistët shprehen se, ky është një indikator shumë i rëndësishëm që tregon për trendin pozitiv të ekonomisë shqiptare, klimën e favorshme për të bërë biznes dhe rritjen e lehtësirave administrative. Fluksi i hyrjeve të vizitorëve të huaj që vinë për qëllime biznesi në Shqipëri, rezulton më i lartë edhe për periudhën tre-mujore të këtij viti.

Sipas INSTAT në shkallë tre mujori, Janar-Mars të vitit 2019, kanë hyrë në Shqipëri 20.222 persona, ose 26% më shumë se në tre mujorin e vitit të kaluar ku numri i tyre shënoi 16.109 shtetas të huaj që vizitojnë vendin tonë për qëllime profesionale.