Në luftë kundër pushtetit të korruptuar, i cili e shtrëngon popullin të konformohet, mbërrin heroi ”Adrian”, ose Adriano Celentano, si personazh filmi vizatimor.

Në televizion seriali do të paraqitet duke filluar nga janari i vitit që vjen, ndërsa subjekti i filmit është ideuar, shkruar dhe drejtuar nga vetë Adriano Celentano. Janë të shumtë yjet që kanë bashkëpunuar në këtë projekt, nga grafisti Milo Manara, deri te çmimi Oscar, Nicola Piovani.Në një prodhim i cili ka kushtuar dhjetëra-miliona euro, kanë marrë pjesë më shumë se njëmijë piktorë filmash vizatimorë, nga tre kontinente të ndryshme: Kina, Afrika dhe Europa. Deri tani janë paraqitur mbi 10 mijë modele skenash. Një ekip prej qindra teknikësh profesionistë të shkrimit, të dizajnit, të akustikës dhe të recitimit.

“Adrian” do të jetë tërësia e këtyre elementëve, një sfidë e pashembullt, por, mbi të gjitha, është një projekt fort i dashur për të cilin Celentano po punon prej kohësh dhe për të cilin është përfshirë në shumë bashkëpunime me figura të famshme. Dy ndër figurat më të spikatura si pjesëmarrës në ndërtimin e skenarit janë Vicenzo Cerami dhe Alessandro Baricco.

I ambientuar në një të ardhme jo të specifikuar mirë, rrëfimi gërsheton fantazinë dhe realitetin, në një botë të sunduar nga një diktaturë e cila ushtron një pushtet të korruptuar, duke e shtrënguar popullin të njësohet me format e korrupsionit.

Për ta luftuar të keqen, me sensin e ironisë si armë kryesore, do të jetë një orëndreqës i thjeshtë, i motivuar nga idealet e lirisë dhe të bukurisë, Adriano Celentano. Ky serial vizatimor do të shoqërohet nga fillimi deri në fund me këngët më politike të legjendës së muzikës europiane.