Ndërsa e cilësoi administrimin publik si një pikë të fortë të vetën, gjatë një interviste për ERTV, kandidatja e partisë socialiste për Durrësin, Valbona Sako, e konsideroi shenjë vlerësimi nga të majtët, kandidimin e saj në zgjedhjet e 30 Qershorit. Sako u ndal në disa nga punët dhe projektet që janë bërë vitet e fundit në bashki me mbështetjen e qeverisë Rama dhe duke e shtrirë më tutje ambicien e saj për zhvillimin e Durrësit.

Lidhur me sfidat që sjell procesi i urbanizimit të Durrësit, Sako tha se akset hyrëse dhe dalëse të qytetit bashkë me qëndrën e qytetit duhet të kenë një harmonizim midis tyre. “Në projektin tim të ardhshëm katër vjeçar unë do të bëj një harmonizim shumë të mirë të qëndrave me periferinë, si dhe me akset hyrëse dhe dalëse për të shmangur trafikun”, tha ajo.

Me krenari e them-tha Sako- se ka përfunduar ndërtimi i ujësjellësit në bazë të programit të qeveerisë shqiptare, për të financuar me një kredi të Bankës Botërore, prej 41 milion eurosh, e cila sot zgjidh problemin 40 vjecar me ujin në qytetin tonë. Një tjetër project i rëndësishëm është ai për rehabilitimin e ujësjellës kanalizimeve, investim i qeverisë shqiptare prej 5.5 milionë eurosh dhe që përmirëson rastet e përmbytjeve, kryesisht të lagjieve 12 dhe 17.

Sako prezantoi edhe idetë e saj në mbështetje të zhvillimit bujqësor. “Nga problematikat që kam ndeshur, unë kam menduar rehabilitimin e tregut të Durrësit dhe njëkohësisht që të mos ketë vetëm më një treg për tregtimin e këtyre produkteve, por të jenë disa dhe të jenë të përqëndruara në zona të ndryshme të qytetit, për t’i krijuar lehtësira banorëve.

“Një problematikë që kam ndeshur dhe nevojë e kohës, është grumbullimi i produkteve të freskëta, ose shitja e produkteve ditore të zonave përreth, e ekonomive të vogla, pra jo tregtarë të mirëfilltë”, përfundoi Sako.