Çfarë marrëdhënie kanë shqiptarët me shefat e tyre në punë? A shkojnë gjithmonë punët vaj mes tyre? Një anketë e Komisionit Europian i përgjigjet disa prej këtyre pytjeve.

Kultura e punës dhe marrëdhëniet midis punëmarrësit dhe punëdhënësit ndikojnë drejtpërdrejtë në produktivitetin e punës, por siç duket marrëdhëniet epror-vartës jo gjithmonë shkojnë vaj dhe ky është pikërisht rasti i Shqipërisë. Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës të hartuar nga Komisioni Europian, rreth 51% e shqiptarëve të pyetur janë përgjigjur se i vlerësojnë marrëdhëniet epror-vartës si shumë të tensionuara, rreth 34% i vlerësojnë disi të tensionuara dhe vetëm 16% janëshprehur se midis tyre nuk ka tension. Ndërsa të ndarë sipas grup–moshave, të rinjtë janë shprehur në përqindje më të lartë se marrëdhëniet midis eprorit dhe vartësit janë shumë të tensionuara, rreth 55% e moshës 18-24 vjeç. Ndërsa për grup–moshat e tjera përqindja ka qenë më e ulët. Po ashtu, edhe individët me të ardhura të ulëta, të cilët i përkasin grupit të parë të të ardhurave, janë përgjigjur nëpërqindje më të lartë se marrëdhëniet epror-vartës janë shumë të tensionuar.

Shqiptarët i kanë vlerësuar marrëdhëniet epror-vartës si më të tensionuarat në të gjithë Europën.

Në Europë përqindjen më të ulët të anketuarve që i kanë vlerësuar marrëdhëniet si të tensionuara e ka Danimarka, me vetëm 4% të të pyeturve, së bashku me Finlandën dhe Suedinë me përkatësisht 11%. Ndërsa me përqindjen më të lartë janë vlerësuar Hungaria dhe Kroacia.
Në vendet e rajonit vërehet se përqindja e njerëzve që i vlerësojnë marrëdhëniet punëmarrës dhe punëdhënës si të tensionuara është relativisht e lartë, duke tejkaluar edhe mesataren Europiane. Pas Shqipërisë vendi me përqindjen më të lartë është Maqedonia me 47% dhe Serbia me 43%. Ndërsa më e ulët vlerësohet se është në Malin e Zi dhe Turqi me përkatësisht 30% e të anketuarve që kanë thënë se marrëdhëniet drejtues-punonjës janë të tensionuara./Referuar Monitor