Joe Biden

Për partinë demokratike të SHBA-së, elementi më i rëndësishëm që duhet të ketë një kandidat i tyre, është zgjedhshmëria, pra lidhja e fortë që ai ka me elektoratin. Dhe në një duzinë me kandidatë nga Partia Demokratike, Joe Biden parapëlqehet si personi më i zgjedhshëm.

Biden, fushata e të cilit fillon zyrtarisht këtë të shtunë në Filadelfia, është lloji i personit që mund të shihet i ulur pas një tavoline të madhe, duke vepruar kujdesshëm mbi demokracinë amerikane dhe nga i cili nuk pritet ndonjë ndryshim i çmendur sikurse Trump po bën.

Ai është nga një prej atyre qyteteve të rrafshët të Rust Belt dhe që nga ekspertët veçohet si një politikan me lidhje të forta me elektoratin e shtresës së mesme, që pretendohet t’i japë mandatin e qeverisjes së Shtëpisë së Bardhë demokratëve. Prandaj Biden shihet si një person që përcakton termin ‘i zgjedhshëm’.

Është e vërtetë se Biden është kryesues në sondazhet demokrate me një diferencë të madhe nga vendi i dytë, megjithatë sondazhet në këtë faze janë më shumë reflektues të emrit të njohur e të rrahur për publikun, sesa ndonjë cilësi tjetër politikani.

Argumenti kryesor që njerëzit shprehin pro zgjedhjes së Biden nuk është se ai preferohet shumë nga një grup njerëzish, por se ai është shansi më i mirë për të fituar votuesit e pavarur dhe republikanët e moderuar. Por kjo nuk është dhe aq e vërtetë.

Këto kohë fitimi i zgjedhjeve nuk ka të bëjë shumë me pëlqimin e elektoratit, aq sa ka të bëjë me motivimin e njerëzve për të dalë e për të votuar.

Gratë, votuesit afrikano-amerikanë, latinë dhe aziatikë kanë më shumë gjasa të thonë se mbështesin kandidatët demokratë sesa ato republikane. Votuesit e bardhë, votuesit meshkuj dhe veçanërisht votuesit e bardhë meshkuj në përgjithësi përkrahin republikanët. Mirë po të parët motivohen me vështirësi, të dytët janë gjithmonë të motivuar.

Statistikat që tregojnë se kush i voton demokratët gjithashtu sugjerojnë që Partia Demokratike është më e larmishme sesa Biden vetë, i cili është i mirë vetëm për shtresën e mesme të SHBA-së.

Demokratët nuk duhet të fokusohen vetëm tek kjo shtresë, por tek aktivizimi i shtresave të larmishme që kanë në bazën e tyre, motivimi i tyre për të dalë e për të votuar, krahasimisht me një shtresë votuesish të republikaneve që janë gjithmonë nën ndikimin e adrenalinës së tepruar kur dalin e votojnë.

Kështu, Joe Biden, i cili nuk duket fare si baza e elektoratit demokrat, ka shumë punë për të bërë, në mënyrë që të ngjasojë në politikën e tij me votuesit nga të cilët kërkon që të votohet. Përndryshe, ka shumë kandidatë të tjerë, të cilët duken, veprojnë dhe mendojnë sikurse elektorati nga i cili presin të votohen, të cilët mund t’ia marrin stafetën definicionit të vjetër të termit ‘i zgjedhshëm’ dhe ta ‘ridefinojnë’ atë.(scan)